2017-08-31 13:33:00

Papa rabinëve: çast i frytshëm dialogu ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve


“Katolikë e hebrenj po kalojnë një çast të frytshëm dialogu”. Këtë theksoi Papa, duke pritur, në Vatikan, përfaqësuesit e Konferencës së Rabinëve evropianë, të Këshillit Rabinik të Amerikës dhe të Komisionit të rabinatit të madh të Izraelit, të angazhuar për të dialoguar me Komisionin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet Fetare me Hebraizmin.

Bilanc pozitiv i një udhe të përbashkët, nisur nga Deklarata konciliare Nosta Aetate, ‘magna carta’ e dialogut me botën hebraike, nënvizoi Françesku:

“Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit mundëm të afrohemi, të dialogojmë me sukses e me fryte; e thelluam njohjen tonë reciproke dhe i shtrënguam më fort lidhjet e miqësisë”.

Këtë vë në dukje edhe dokumenti “Ndërmjet Jeruzalemit e Romës”, dorëzuar Papës nga rabinët evropianë, amerikanë e izraelitë, ndërmjet të cilëve edhe Kryrabini i Romës, Riccardo Di Segni.

E duke folur për të, Papa theksoi:

“Dokumenti juaj u drejtohet katolikëve, duke i quajtur partnerë, aleatë të ngushtë, miq e vëllezër në kërkimin  e përbashkët të një bote më të mirë, që të mund të gëzojë paqen, drejtësinë shoqërore e sigurinë”.

Në dokument nënvizohet se “pavarësisht nga ndryshimet e thella teologjike, katolikët e hebrenjtë  kanë edhe pika të përbashkëta takimi. E kjo ka shumë rëndësi”, shtoi Papa, ashtu si ka rëndësi edhe …:

“… pohimi se fetë duhet të zgjedhin sjelljen morale dhe edukimin fetar - jo luftën, shtypjen e presionin shoqëror - nëse duan t’i ushtrojnë aftësitë e tyre për të ndikuar e për të frymëzuar”.

Në përfundim Françesku, me rastin e kësaj vizite, u shprehu të pranishëmve dhe bashkësive të tyre, urimet më të përzemërta për vitin e ri hebraik, që do të fillojë pas pak javëve: Shanah towah(Gëzuar vitin e Ri)! Ju falënderoj që erdhët e ju kërkoj të më kujtoni në lutjet tuaja!  








All the contents on this site are copyrighted ©.