Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

P. Casalone: trashëgimia e kardinalit Martini vijon të jetë e gjallë dhe e frytshme

Kardinali Karlo Maria Martini - ANSA

31/08/2017 12:06

Mbushen sot pesë vjet nga vdekja e kardinalit Carlo Maria Martini, kryeipeshkëv i Milanos, nga viti 1980 deri më 2002. Për ta përkujtuar, me rastin e këtij përvjetori, kardinali Angelo Scola kremtoi një Meshë përshpirtjeje, në Katedralen e Milanos, në orën 17.30.

Të shumta, nismat e organizuara nga Fondacioni Carlo Maria Martini, duke nisur nga materialet e reja në Arkivin dixhital të faqes së internetit të Fondacionit. Përsa u përket botimeve, më 23 gusht, në bashkëpunim me Corriere della Sera, doli një dvd e filmit të Ermano Olmit, kushtuar viteve të Carlo Maria Martinit si kryeipeshkëv ambrozian. Një e re tjetër editoriale, është botimi i vëllimit të shtypur nga Garzanti, “Hyrje në Ungjijtë sinoptikë”, ribotim i një studimi themelor të viteve, kur Karlo Maria Martini ishte profesor pranë Institutit Papnor Biblik të Romës. Për pasurinë më të madhe, që i la trashëgim Kishës kardinali Carlo Maria Martini, duke e kujtuar pesë vjet pasi e kreu shtegtimin e tij mbi këtë tokë, intervistuam kryetarin e Fondacionit Carlo Maria Martini, jezuitin Carlo Casolone:

Përgjigje: - Mendoj se, mbi të gjitha, duhet theksuar aftësia e Tij  për t’u rritur në përmasën kundruese të jetës e në leximin e historisë me këtë sy e në dritën e Fjalës së Zotit.

Pyetje: - Carlo Maria Martini ishte burrë i pajisur me një karizmë të jashtëzakonshme, që i bën ballë kohës e nuk harrohet lehtë nga njerëzit që e njohën…

Përgjigje: - Mendoj se kështu është, në kuptimin që, edhe në dritën e punës sonë, del se magjisteri i tij, mënyra e tij e të dëgjuarit të Fjalës së Zotit, e lidhjes së ngushtë të saj me jetën, me synim që të ndikojë mbi pjekurinë e ndërgjegjeve, pasqyrohet në ato njerëz, që e takuan. E, përmes atyre që e takuan, që i frekuentuan ushtrimet e tij shpirtërore, leximet biblike, vijon të bëhet e pranishme në histori e në jetën e njerëzve, duke i ndihmuar të gjejnë kuptimin si në veprimtaritë, që kryhen në çaste si tonat, ashtu edhe në ato, që ishin, kur kardinali Martini e ushtroi shërbesën e tij të pasur me kontradikta, me pyetje, me vështirësi.

Pyetje: - Martini e Bergoglio, dy bij të Shën Injacit, dy vëllezër të Shoqërisë së Jezuitëve… - cilat janë, sipas jush, tiparet më të forta të Carlo Maria Martinit, që i gjejmë tek Papnia e Bergoglios?

Përgjigje: - Kur shkuam për t’ia paraqitur Fondacionin Martini Papës Françesku, ai na tha: “Edhe ne, në Amerikën Latine, i bënim Ushtrimet shpirtërore duke u bazuar mbi çka shkruante e predikonte Martini”. Aftësia për ta lidhur pedagogjinë injaciane, domethënë frymëzimin që karakterizon Ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit, me udhën personale të  takimit me Zotin, për Kardinalin Martini buron, mbi të gjitha, nga Fjala e Zotit. Ndërsa për Bergoglion, si latinoamerikan, më shumë nga veprimtaria baritore, nga takimi i drejtpërdrejt me realitetin e me njerëzit.

31/08/2017 12:06