2017-08-30 14:51:00

Raketa Verikoreane: tejet e shqetësuar, Kisha në vend


Të vijohet udha e dialogut me çdo kusht! Këtë kërkon Komisioni “Drejtësi e Paqe” i Konferencës ipeshkvnore koreane, në një komunikatë, përhapur dje, në përfundim të takimit, mbajtur pikërisht të nesërmen e hedhjes së një rakete të re nga Pyongyang që, si fluturoi për 2700 kilometra, u nda në tri pjesë mbi Detin e Japonisë, duke u shkaktuar ngacmim dhe shqetësim të madh autoriteteve të Tokios.

I kryesuar nga imzot Lazër You Heung-sik, ipeshkëv i Daejeon - njofton agjencia Sir - Komisioni “Drejtësi e Paqe”  përdor një frazë,  shkëputur nga Enciklika e Gjonit XXIII “Pacem in Terris”: “Paqja nuk mund të ndërtohet kurrë përmes ekuilibrit të forcës së armëve, por vetëm përmes besimit të anasjelltë”. Komisioni shpreh shqetësimin e thellë për njoftimin e dhënë nga qeveria jugkoreane lidhur me përdorimin e raketave Thad (Terminal High Altitude Area Defense) sistem kundër-raketave me rreze të shkurtër e të mesme, në mbrojtje të territorit të Koresë së Jugut. Duke shprehur qëndrimin e Kishës universale në mbrojtje të paqes, Komisioni këshillon të rimendohet mundësia e përdorimit të raketave Thaad që - nënvizohet në komunikatë - mund të krijojë vështirësi të mëdha jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve, por edhe në ato ndërkombëtare.

Komisioni ripohon atë, që pati theksuar edhe në dy deklaratat e mëparshme, të 15 korrikut 2016 dhe të 15 gushit 2017. Në këtë të fundit,  Kisha në Kore denoncoi vendosmërisht provokimet e papeshuara të Koresë së Veriut, duke iu kundërvënë të gjitha veprimeve, që krijojnë tension të lartë në gadishullin korean e duke i konsideruar si hapa mbrapa në rrugën e paqes, e cila nuk mund të realizohet me gara armatimesh bërthamore!  Në një thirrje, përhapur në prag të Festës së Zojës të Ngjitur në Qiell – ditë e pavarësisë së Koresë së Jugut - rimarrë nga agjencia AziaNews, ipeshkvijtë koreanë dënuan shkallëzimin e kërcënimeve e të mobilizimeve ushtarake, që ndjehen fort në gadishullin korean, ku situata është e nderë, e ngarkuar me atmoferën e një rreziku të prekshëm, që u thellua më tej në këtë fund gushti.

E kjo do të thotë - shpjegon sot Komisioni, se ipeshkvijtë u kundërvihen provave të vazhdueshme me armë, “por edhe të gjithë atyre, që duan t’i përgjigjen provokimit duke intensifikuar armatimin në tokën tonë, për shkak të këtyre provave”.

Në Komunikatë nënvizohet  se Kisha ka kujdes të veçantë për të varfërit e se prandaj për të, njeriu është udha kryesore e themelore, që dëshiron të përshkojë:

“Kisha ekziston për të ndihmuar njerëzit e punon për shpëtimin e mbarë njerëzimit, por posaçërisht, për më të ligshtit në gjirin e shoqërisë, të cilët zënë vendin e parë në kujdesin e saj e për të cilët përpiqet të kujdeset  në mënyrë konkrete, praktike, solidare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.