2017-08-30 13:24:00

Prekës, takimi i Papës me futbollistët e Chapecoense


Në përfundim të katekizimit të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti grupet e ndryshme të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit.  Një përshëndetje të veçantë u drejtoi futbollistëve dhe drejtuesve të Chapecoense, skuadra braziliane e futbollit që, më 28 nëntor 2016, pësoi aksident ajror pranë qytetit kolumbian Medellin. Nga 77 vetë që fluturonin me këtë avion, shpëtuan vetëm 6, 3 prej të cilëve, futbollistë të klubit: Neto, Jakson Follman dhe Alan Ruschel. Skuadra po shtegtonte drejt Kolumbisë për finalen e Kupës jugamerikane.

Takim i shkurtër, por tejet prekës: Françesku i përshëndeti dhe i përqafoi  në tremen e Bazilikës së Vatikanit, të gjithë anëtarët e skuadrës, së bashku me disa familjarë të të vdekurve. Posaçërisht u ndalua me tre furtbollistët që shpëtuan gjallë, të cilët i bekoi. E ata i dhuruan një top me ngjyrat e skuadrës braziliane: bardh e jeshil.  Së fundi, fotoja klasike për kujtim me grupin e përbërë prej 85 vetësh.

Presidenti i Chapecoense, David Plinio de Nes, në mikrofonin e Radios sonë, e quajti këtë “ditë hiri për të gjithë ne”. Papa Françesku - vijoi - na e tregoi dashurinë e tij që në çastin e aksidentit tragjik të avionit. Çasti më i vështirë i jetës sonë. “Afërsia e Papës na dha forcë për të ecur përpara. E tani, që skuadra dalngadalë po e merr e veten, patëm fatin të marrim edhe bekimin e Papës. E për këtë e falënderojmë nga zemra Zotin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.