Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Atë Daniel Gjeçaj OFM në përvjetorin e kalimit në amshim.

Atë Daniel Gjeçaj ofm - RV

30/08/2017 12:54

Duke shfletuar kalendarin historik të 30 gushtit, përkujtojmë përvjetori i vdekjes së studiuesit françeskan shqiptar, atë Daniel Geçajt (Theth, 14/10/1913 – Romë, 30/08/2002). Figurë poliedrike, Atë Danieli tërë jetën punoi duke iu përmbajtur binomit të njohur që Kleri Katolik Shqiptar ka pasur gjithmonë, për Fè dhe Atdhè.

Në periudhën më të vështirë e të errët të vendlindjes e të popullit të vet shqiptar, nën regjimin komunist e ateist, Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra qe pikë referimi për diasporën shqiptare dhe emigrantët në Itali e Romë, për të cilët qe atë shpirtëror e mbështetje vëllazërore.

Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra ishte edhe bashkëpunëtor i Redaksisë Shqipe të Radio Vatikanit, që në kohën e themelimit nga meshtari dom Zef Shestani, me të cilin bashkëpunoi nga afër e deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Janë të shumta botimet dhe ribotimet e veprave letrare që dolën nga shtypi jashtë atdheut me mbështetjen e Atë Danielit. Ndër to përmendim “Andrrën e Pretashit” te Pater Anton Harapit, “Lahuten e Malcis”, ribotuar dy herë, Vale mbi Vale po e Anton Harapit.

Gjithashtu Atë Daniel Gjeçaj shquhet edhe për vepra origjinale si “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra” apo për përkthime te tilla si “Psalmet” dhe Shkrimi i Shenjtë për të cilin punoi deri në fund të jetës.

françeskani shqiptar, Atë Daniel Gjeçaj: e përkujtojmë duke shfletuar veprat e pabotuara në arkivin e tij, nga të cilat zgjodhëm:

I Dukagjinasi
 .....

Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina
Butë u kjoshin moti e stina,
Ak’lli, bora e serotina:
E der’ t’këndoje n’ mal ndo’i Zanë,
E der’ t’ketë n’detë ujë e ranë,
Der’ sa t’shndrisin diell e hanë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kangë e valle por u këndojshin.
 
Fishta: Lahuta k. V, 426-433

“Shal-à” e thirrën në qestí, kur rá në qytet. Gjelosh e quejtën të tjerët në tallje ketë banorin tipik të maleve orë-çueta, të cilave Lekë Dukagjini u la trashigim Kanunin, u fali emnin. Si i pari apelativ, si i dyti, në mentalitetin e qytetarit ndryni diçka të përbuzshëm. E qeshën për hapat këcimtarë të pamasë e të paestetikë rrafshit. I ndejën larg, kur s’patën nevojën e tij, si i shëndoshti të smuetit me dergjë ngjitëse. Pak kujt i rá në mend me iu qasë për t’ia shërue varrët, për t’ia lehtësue vuejtjet. I rralli, që pat diçka në dorë, u mundue t’ia përmirësojë gjendjen, tue ia hjekun shpinet barrën, që trupin plep ia lakoi porsi ortegu ahishtat. U kënaqën qytetarët-turista, në verë, para pamjeve plot madhní të bjeshkëve vigane, para luginave të blera, të thuruna me vrashtësí shkambijsh e koçekësh të zdeshun. E dijtën mirë shkollarët se, rranxë tyne, i Dukagjinasi lindi e u rrit si halët rrëshinore e brejtë fillakçë, që në plasa të rrasave të gjalla e në qeta bár-tel, ngatërrojnë rrajët, ushqehen me gur e naltojnë trupin guximtár, gjithmonë në bejleg e lufta me ortigje e rrufé, me erë fishklluese e stuhí të përmndershme. S’luejtën, por, vendit, për të bâmë që dimni ta nxente malsorin të veshun e të mbathun, të mbrojtun me një xham dritësorje a me një stufë ngrohtëse, të pajisun me një dyqan, me një shkollë mjeshtrie apo me një magazinë ushqimi. Harruen t’ia xevendësojshin nemose pishtarin me dritë voj-guri dhe gur-e-unorin me krande shkrepëse.
I lypën votën ndër zgjedhje, për t’u rritë vetë, dhe i premtuen shkolla, rruga, konvikte; por kurrkush s’u kujtue t’ia presë tojen, që supat ia bâni vija malsorit posi konopi gurin e dhenun graniti në grykën e pusit freskues. E thirrën në qytet dhe e pritën si kumara ndrikullën, kur u gjetën ngusht, kur kalaja dridhej prej topave të anmikut, kur shpijat ngujoheshin prej mënisë gjakderdhëse; por mbrapa s’e lejuen të strukte kryet nën strehën e dyerve të mëdhá, prej frigës se gurt e dhenun e tullat mirë të pjekuna do t’u fajisshin me “era malsuer”. Në pazár banorit të malit, i cili ulte në shpinë, çka me djersë gjaku i nxuer me zort natyrës dorë-rrudhe, ju ngarritën tregtarët, si korbat berrit të germuem, për t’ia grabitë mallin me gjysë çmimi. Njëqind herë ia shtërnguen dorën e vrashtë, mësuem me dhanë vetëm besën e burrave, për t’ia shkoqun lakut bagtinë, që ulte në teqe. Në pagesë kán e kularit, që atij i viente sa ‘i krah burri, ia bân mëzat; dashin e kumbonës, bryena dredhun, rrunzak; skjapin kime-gjatë, ftujak dhe rrunzat e ftujakët shpinë voe, kingja e edha të shtimë.
Në dyqan, ku veç babë e nanë nuk gjinden, e tallën kur ua zgidhi qesen rube për me blemun këmisha për fëmijë, që te shpija i mbetën porsi mishi në bludë; beze për grá e faculeta kreje; kafe e shiqer për festa; dyllë për natë të qirit; opangë gome e saftjana; fitila ari e argjandi me pak shirita cohe, për çikë që do të qitëte; fyshekë për të shtime Këshndellash e Pashkësh e për festa bajraku, rryp lustrafini me hyj e pulla sermi për djalin e parë, që të hijte në çetën e burrave. Në kranoçin e harxhit i shtînë shap për shiqer, karabojë për kafe, sapun për djathë, gjithsaherë dukagjinasi i besoi fjalës e jo synit, burrnisë e jo dredhisë gënjeshtare.
E mbajtën të egër ndër doke; por prituen të flijoheshin për tê, për t’ia zbutë ndjenjat, pa ia bastardhue karakterin iliras; për t’ia rregullue marrëdhaniet dhe jetën shoqnore, pa ia zhdukun kanunin dhe pa ia pakësue nderën, burrninë e moralin. U levduen studjuesat shkollarë për squetësinë mendore të rracës virgjin malore; por fëminë e vorfën të malit s’e përcuellën gadi kurr ndër banka të mësimit e ndër shkolla të nalta, prej drojes se me kohë do t’u hiqte doret arrat. Të vobegëtit, që në Dukagjin la kasollën, përsè buêna i muer trollin e tokës, e rá në qytet, i falën me lutje në shkrim kaçorre teneqesh larg banesash të shehrit; por kurrnjë i madh a i pasun s’tha: këto janë shpijat e të vorfënve, kjo ndihma për ta.

                                                            * * *
Katundi mbarë dhe bajraku e njoftën me emën të vet. Shprazën pushkë batare kur leu, përsè fisit luftár ju shtue një armë, oxhakut një krah, Kanunit një mashkull, kuvendit të urtisë një plak i ardhshëm. Ushtuen malet me “çka â’ pushka” e bjeshkët përgjegjën: “ka lé një djalë”. Në ligjim ja ngjitën Kacel a Balë, Cukel a Dakë, Vocërr a Gjelosh, Can a Bashë, Kokërr a Dodë, Kukel a Cekë, Col a Binak, Çun a Tul, Vogël a Bub, Perë a Babun, Lul a Zog, Cok a Ujkë, Cur a Lulash, Shytan a Shpend. Ndrikullat e zemrës e gratë e fshatit ja rrethuen djepin me petulla e mjaltë zogash, me shpatuke rakije e molla prej arkës. Tue i shpërvjelun mbulojën ngjyre të kaltërt, i uruen me gojë plot Zotin përkrah, Orën e bardhë fatamadhe për rojë, jetë të gjatë e gëzime. “Syni i keq mos të pa’t dhe shtrigat mos t’u afrojshin, kapidan ndër shokë të pasha e bajrak ndër lufta, plak ndër pleqní e kuvende e prís ndër çeta të paça!” - i këndoi e ama, tue e përkundë.
S’njofti mirërritje librash as pedagogë kathedrash. U rrit si ahi i njomë në ahishte të ré, tue kqyrë përherë nalt, për të mërrijtun te të tjerët. Lëshoi trup pa neje vesesh as degë brengëçe prirjesh së ulta morale, që shpirtin s’e lanë me u përspjetë. Thithi rreth votrës e në lojna mocatarësh, në log të kishës e në mbledhje burrash, ndër festa e ndër darsma, ajrin e kulluet dhe freskinë e kangëve kreshnike të lahutës zâ-vajtuese. Në gjamë, u nxit prej fjalës magjike të vajtores sokoleshë, që te kryet e të dekunit endi në vargnim me një art poetik të bindëshëm, të marrun uhá, pa e dijtë as ajo vetë, veç te Homeri, burrat e fisit, trimnitë, besën, burrninë, bukën, urtinë, pashinë e të kaluemve në jetën e vërtetë. U nxé kënaqshëm prej diellit rreze-pastër të shembujve jutbinas të të parëve të vet e të farefisit. E pvetën endè të vogël se kujt do t’i gitëte në jetë e ai zguedh ma të mirin e të mirëve, që trungu i gjakut e lisi i tamblit i paraqiti. Pranë zjarmit, që në kulla as në përdhese malesh nuk shkimbet kurr, si në tempujt e hyjnive klasike, xu me heshtuem para krip-bardhëve, me u ndigjuem ma të mëdhajve, me nderuem mikun e tërvesën. Ju shtrue vuejtjeve e motit, punës e blegtorisë. S’ndjeu kurr historinë e Spartanëve as ligjët e Likurgut, por jetoi si ata, me një ndryshim të vetëm: I-lir përvetësoi Ilirët e motit. Si barí përdoroi briskun për të dhenë me maje mbi drunin e rrastë të bushit a të tisit, fyellin për t’i rá, pushkën me gjuejtë shejin e me shitue gjaen damtore. Provoi idilet e jetës baritore pa e ulë vedin në baltën e vesit, pa u habitë mbas epsheve, që turbullojnë kjartësinë e synit ngjyrë-qielle, pa e zhigatë ndërgjegjen e thjeshtë e të pafaje, pa e ligështue karakterin-shkamb. Forcoi drejtpeshimin në parmendë dhe qindresën në lavër, zhdrivilloi dhe çelnikosi muskujt e krahit në kosë, provoi fuqinë e trupit të vet të hajshëm e të hjedhtë ndër lojna ligjësh e mbledhjesh, tue u rrokë me tarabakë moshtarë, tue hjedhë peshën koçek dhe tue pezullue gur katallajsh.
U burrnue djaloshi i malit përpara se mosha ta përcillte ndër burra.
Flijoi vullnetin e vet para vullnetit të nanës e të babës të motnuem edhe kur këta me shkuesí miqsh e dashmairësh i prunë në konak fatin, që synit të tij s’i pëlqei, por që nën duvakun e nuses ndrynte doket mashkullore të oxhakut në za prej kah vinte.
Tash jeta e djalit asht jeta e të Dukagjinasit.
Shtat-naltë, i hollë, shpatull gjanë, ball-shpërvjelun, gjak.kulluet si vena në gastare. Synin gacë xhixhilluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike të maleve dinarike, banori, nip i Lekës, paraqet tipin e squet të Veriut pa motërzime as kryqëzime rracash.
I pastër në gjuhë me një gjallësí lumejsh që rrëzohen shkambijsh, ma i pastër në doke. I kadalshëm në kuvend e i matun në urtí, i peshuem në gjikime, i prém në vendim, i shpejtë në veprim. Lakonik ndër shprehje, i pasun në fëtyrëzime e shembëlltyrë të përshtatshme me artin ma të naltin e letrave, të cilat ai s’i njef.
Gojtár në log burrash, ulun për rreth, kur rendi t’i tokojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin në pleqní të fisit a por kur janë për t’u marrë vendime me randësí për të marën e të mirën e Bajrakut.
Logjik në arsyetime që s’të lanë me luejtë dhe të shtërngojnë si dana për të pranue të vërtetën.
Bujár dhe fisnik në konak, që deri natën vonë rrin çilë, për të pritun miq e të njoftun, të panjoftun e deri anmikun udhëtár që i bjen për shteg të oborrit a drumit që kalon asajtë, të vorfën e lypësa, që erren jashtë, pa dijtë se kujë me ia mësye. Kulla shumpashe a kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste kur Zoti i hatron me kambën e mikut përherë të dishruem.
Buka hanë-plote drithi së artë, qitun njatëherë prej cereme a votre mbuluem me kakí, e qindisun mjeshtrisht me shkrola e me kryq krahë-njajtë, të skalitun lehtë me gisht a me pirû, krypa e qefi shqiptár, zjarmi breg e prushi i shpupurishun në oxhak a votër, kuvendi që kurr s’mërzitë, përligjiet e mëfaljet me një njerëzí e delikatesë ma se pariziane a vjeneze të së kaluemes, s’mungojnë kurr në truellin e të Dukagjinasit bukë-mirë, që shpinë e ka të Zotit e të mikut. Edhe atëherë kur në votër s’shtjen xhezen, përsè kafja e shiqeri s’gjinden te ai, as te fqijtë, edhe atëbotë kur sofrën trikambëshe të shtrueme për rrashit s’e zbukurojnë petullat e mjalta për meze e mushkënitë, kryet e berrit e shpatulla me eshke të mbytuna në vjam posi guri në gëlqere të shueme, edhe kur bluda e mazës ngjyrë ari e djathi i ziem fije gjatë s’ndodhen për hae, malsori s’topitet: oxhakun s’e koritë vorfnija. Curreku i djathit me ibrik të rakisë, kodra mollash e ftojsh e thalba lejthijash prej arkës, tlyen të shkrimë në fultere e vegshi i pucatun rrastë me mish të thatë prej trinet, me bujarinë e zemrës e gazin ndër rob të shpisë plotësojnë çdo mungesë.
Besnik në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zí i zhbanë. Për fjalë, që del kah del shpirti, djeg kullën fortesë, shkretnon mal e vërrí. Asht burrë e jo ká zgjedhet: lidhet për fjalet e jo për bryenash.
Nuk njef parime ditunore politiko-shoqnore, por din të zbatojë me përpikëní ligjet e natyrës njerëzore, drejtësinë që s’njef pajambajtas e atê çka botës sot i mungon: nderimin dhe çmimin e anasjelltë, lealitetin e vendosmëninë. S’din i Dukagjinasi dredhí, përsè s’don të gënjejë; s’mërrín të paraqitet çka s’asht, përsè s’pranon të jetë fletë që e luen era, as pupël që bán fryma.
Rrethanat e vështira të jetës, natyra e vrashtë e malit, lufta që s’din pushim për të gjalluem, porsa me shpirt, i farkëtoi një karakter burri ma të fortë e ma të qindrueshëm se çelikun e ndezun dhe të ujatisun mirë mbi kudhën e farkatarit legjendár, të Tushës. I brishtë e shpesh herë i këcyeshëm, por kurr i lakueshëm.
Trim dhe i pafrigueshëm kudo të jetë puna me ruejtë dy gisht nderë që Zoti i Madh na i fali në lule të ballit a por kudo u nevojit me lá ballin e vrugnuem. U edukue që në fëminí me e çmue jetën vetëm nën prizmin e nderës, pa të cilën njeriu asht i dekun. Para erzit vetjak e familjar, kanuni i mësoi vetëm dy rrugë: gjakun a faljen, por jo ligështinë. Mjerisht, të lumët pushka i thanë ku duhet dhe kur pushka i shkoi mbarë; nderove veten si burrat e “faqen e bardhë e paç djalë mbas djalit” i uruen katundi e i çuen bajrakët kur i Dukagjinasi, zemërcoptuem, suell mbarë djepin e anmikut të përmbysun në truell, kur puthi, tue e lagë me lot, të cilat vështirë i dalin burrit si atij, Kryqin shejt të Meshtarit. Gjaksin e muer ngrykë burrnisht dhe e vëllaznoi me gjakun e gishtit ase e nxuni kumbar me flokë të fëmisë të pafaj.
Desht fisin e atdhenë kurdo natën a ditën u qit kushtrimi. La qetë në kulár, shatin në arë, kosën në livadh, korrën në lamë, berret në mal, bukën në tërvesë, fëmijët në djep e graninë ndër rangë. Me sa pat mashkuj të aftë, rroku armët për ku e thirri zani. S’shikjoi se saraji i vezirit ishte plot me ushtarë roje, s’iu tremb syni prej rrugave të qytetit labirint, që vlon me njerëz posi thndeglat në vjeshtë, s’iu dridh zemra para topave të ushtrive ndër grykat e Thermopylave dukagjinase, s’e muer kurr pushka shpinet kahdo e qiti puna, që prej Moresë së tretun e Stambollës së Mbretit e deri në Zetën e shkjaut, në kalanë e Shpuzës a fortesën e Medunit. Vezirin dredhacak e la pa djalë, pashën krenár pa urdí, gjeneralat kapicë-knjaza i bâni të kalojnë si berret në shtrungë nën armët e kryqëzueme a por i ftofi keqas në Gur të Kuq, në Qafë Kolç të lkuqun prej gjakut.
Jetoi gjithmonë i lirë dhe e desht lirinë si dritën e synit, si zogu i verës ajrin e pyllin e pakufí. S’pranoi, në të kaluemen, ligjë rromake as azjatike, s’lau të dheta as s’dha ushtarë, kur këta s’kërkoheshin për të mirën e vendit. Themeloi ma i pari në Shqipní, Djelmëninë dhe kësajë i lëshoi në dorë mbikqyrjen e vendimeve të Bajraktarit e të kambëve të fisit, që mos të theheshin, në dam të vendit, prej përkëdheljeve as arit të huejit as prej shtymejve të ma të fortit.
S’ju shtrue, tash së voni, despotizmit të vetëve, as ndikimeve të huejit shfrytëzues. Para turrit të tij u dridhën harqet veneciane rranxë kalasë së Dukagjinit të Madh, u trondit Tirana e kuqe përballë luanit të shituem, i cili për gjith shpellë a birë mali shkjeu me dhambë klysht bastadha të kulshedrës siberiane.

                                                  * * *
Nuk ka komb as historí, popull as gojëdhana e as kulturë pa lavruesa, shtet pa heroj. Historia bâhet, zakonet ruhen, kultura shtohet, shteti forcohet e rritet. Këtu dallohen të mëdhajt. Njerëzve, që me vepra merituen ketë emën, kombet u kushtuen elterë në shej mirënjohje, u ngrehën pomendore. Mbetën jashtë të panjoftunt: kreshnikët, të cilët pa zhurmë, në hije, pa fjalë të mëdhá e kumbuese, kryen punë të mëdhá. Kurrkush nuk i përmendi, përsè nuk ua dijti emnin. Eshtënt e tyne simbolikë i mblodhën në një vend, të cilin e pagëzuen: “Monumenti i ushtarit të panjoftun”. Nuk skalitën rrasë as datë: derdhën e qitën lule, vuerën përherë e vjerrin kunora rreth tij.
Për të Dukagjinast e banorët e malit ky elter mungoi. E pra s’mungoi historija ndër ta, s’u zhdukën zakonet iliro-trake as shejet e një kulture së vjetër, sa mosha jetike e banorëve në breg të Adries; e s’mbetën kurr pa heroj.
Frati iu kujtue kësajë gollje. U vû ai vetë ta plotësojë si mujti e si diejti ma mirë e ma. I vorfën, si malsori, të cilit s’ju dá kurr e për të cilin shkrini jetën, Françeskani hetoi se në misjonin e tij i mungojshin mjetet. I xevendësoi këto me vetmohim, me dashtëní të painteresë, me zemërgjanësí burrash. S’pat mermér as daltë për të ngrehun pomendore, s’pat bronx as ár për të prarue germa. Përdoroi letër e pendë për të përjetësue bijt e vet të harruem. “Lahuta e Malsis” me “Kanunin e Lekës” e doket iliro-trake, rrapsoditë e Jutbinës me “Përrallat Kombëtare”, të marruna prej gojës së popullit në tirqë, urtia e burrënia, përshkruem aq përshtatshëm në “Ândrra e Prêtashit”, gjuha e Palajt me studimet e Marlekajt i naltuen malsorit të panjoftun monumentin kombëtár, të cilin motet as stuhitë, luftat as mënija s’do të mërrijnë kurr me e rrëxue. Të përvujtët të bijt e të Vobegëtit të Asizit, s’thadruen kurrnjë fjalë kushtuese në ballin e veprës së vet: shkruen me germa të papashme, por të lexueshme prej gjithkujë: “Deri sa Kukelat e Gjeloshat të jetojnë, Marash Ucat e Dedë Gjo’ Lulat të këndohen me lahutë, deri sa Tringat të bâjnë fëmijë, Shqipnia ka për të gjalluem si Komb.

 

30/08/2017 12:54