Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Rëndësia e shën Gjon Pagëzuesit në historinë e Shëlbimit

Gjon Pagezuesi e Jezusi ne lumin Jordan - RV

29/08/2017 10:53

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar prej Hyjit për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjellë tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e bëri të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që i merr mbi vete mëkatet e njerëzimit dhe i fal e shlyen, prandaj Gjon Pagëzuesi edhe kërkonte nga populli përgatitje shpirtërore për ta pritur e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji. Pra, me pak fjalë Gjoni është profeti i mbramë i Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësi i Krishtit. Gjon Pagëzori shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re, pra e përuron epokën Mesianike. Ai është personaliteti për të cilin Jezusi thotë: “Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”. Një nënvizim ky i rëndësishëm në historinë e shpëtimit që e bënë këtë shenjtor një pikë referimi e përherë aktual.

Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzorit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

Ungjilltarët e paraqesin Gjon Pagëzuesin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit.

Por skena kryesore, që na propozon liturgjia për Shën Gjon Pagëzorin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të shkuar e ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumturisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik të Kishës, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit.

Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjon Pagëzuesin tek këmbët e Jezusit të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të“rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.

29/08/2017 10:53