Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Papa emëron kardinalin Ernest Simoni si i Dërguar i posaçëm i tij në shugurimin e Kishës së Shën Nënë Terezës në Prishtinë

Kardinali Ernest Simoni Troshani - AP

29/08/2017 13:55

Siç dihet, më 15 korrikun e kaluar u botua lajmi mbi emërimin e kardinalit Ernest Simoni si i Dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë në shugurimin e Kishës së re, kushtuar Shën Terezës së Kalkutës, në qytetin e Prishtinës (Administratura Apostolike e Prizrenit), që do të kremtohet më 5 shtator 2017. Me këtë rast Papa Françesku i shkruan një letër kardinalit Ernest Simoni-Troshani. Po ju njohim, më poshtë, me përmbajtjen e letrës papnore, botuar sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë:      

Të Nderuarit vëllait tonë

                                          Ernest Simoni

Kardinal Diakon i Kishës së Shenjtë të Romës, me titullin e Shën Marisë së Shkallës

Ndërmjet shenjtorëve të ndritur, një vend të veçantë zë Shën Tereza e Kalkutës, e mirënjohur nga të gjithë për flijimin në shërbim të më të varfërve e më të ligshtëve. Prandaj, për ta nderuar, në Prishtinë u ndërtua një Tempull ku besimtarët do të mblidhen jo vetëm për kremtimin e Liturgjisë së Shenjtë e për mbarështimin e sakramenteve, por edhe për t’ia lartuar vitytet e për ta ndjekur shembullin e kësaj Shenjtoreje.

E që ky Tempull të jetë sa më i përshtatshëm shpirtërisht, u vendos të shugurohej, si për ta ndjerë më shumë forcën e pranisë të Shën Terezës, ashtu edhe për ta predikuar Lajmin e mirë të Ungjillit e, së fundi, për të kryer vepra të mira, sidomos në favor të njerëzve më të përvuajtur.

E, që ky rit të kremtohet në formë sa më solemne, vendosëm të dërgojmë  një personalitet të shquar, që të na përfaqësojë në të njëjtin vend e të kumtojë në të njëjtën kohë mendimin tonë.

Ty, pra, i Nderuar Vëllai ynë, Bir i këtij populli, e prandaj edhe më i përshtatshëm për ta marrë mbi vete e për ta përballuar këtë mandat, po të drejtohemi pa ngurrim, po Të emërojmë e po të  caktojmë të Dërguarin tonë të posaçëm.

Prandaj do të kryesoni Liturgjinë Hyjnore, ndërsa Vëllai i nderuar Dodë Gjergji, Administrator Apostolik i Prizrenit, do ta shugurojë më 5 shtatorin e ardhshëm solemnisht, sipas ritit, Tempullin shenjt të Shën Terezës së Kalkutës.

Dëshirojmë përzemërisht që kjo shenjtërore e shkëlqyer të japë ndihmesën e vet për të përforcuar fenë e vërtetë të besimtarëve. Kam kënaqësinë t’u  drejtoj të gjithëve inkurajimin tim e t’u jap Bekimin Apostolik, në radhë të parë ty e, përmes teje, në emër tonë, e me autoritetin tonë, t’u transmetohet  gjerësisht të gjithë pjesëmarrësve. Uroj që ky bekim, me ndërmjetësimin e së Lumes Virgjër Mari e të Shën Terezës së Kalkutës, t’u paraprijë dhuratave qiellore e të jetë dëshmi e rëndësishme e përtëritjes së shpirtrave, ndërsa ne u kërkojmë të gjithëve lutje, që të mund ta kryejmë me fryt shërbesën papnore.

Nga Selia e Vatikanit, më 1 gusht 2017, viti i pestë i Papnisë.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                    Françesku

                     

                                                                                                                                                                         

29/08/2017 13:55