Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Kisha dioqezane e Rrëshenit të Mirditës u përshëndet me imzot Cristoforo Palimierin

Imzot Cristoforo Palmieri

29/08/2017 00:00

Të shtunën e kaluar, më 26 gusht 2017, me kremtimin e Meshës së falënderimit ndaj Hyjit, mbajtur në Katedralen e Rrëshenit, Kisha dioqezane e Rrëshenit të Mirditës u përshëndet me ipeshkvin imzot Cristoforo Palimieri-n, i cili që nga viti 1993 ka punuar si misionar rregulltar vincencian, e që nga viti 2005, pra për 24 vite si ipeshkëv ka udhëhequr Kishën dioqezane të kësaj zone kishtare.

Meshën solemne të falënderimi, në Kishën Katedrale të Rrëshenit, e kryesoi imzot Cristoforo Palmieri, në bashkëkremtim me ipeshkvin e ri të emëruar të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, ipeshkvijtë e tjerë të Shqipërisë, klerin, rregulltarët e rregullaret. I pranishëm ish Presidenti i Shqipërisë, zoti Bujar Nishani dhe një numër i madh besimtarësh nga të gjitha komunitet famullitare kishtare të Rrëshenit dhe miq të ardhur nga viset e vendet e ndryshme.

Në homelinë e Meshës, imzot Palmieri mes tjerash theksoi: “...cilido qoftë imazhi që do të ruajnë për mua, nuk është më rëndësi, mjaft të më kujtojnë si një të krishterë, si një meshtar, si një ipeshkëv që është munduar të shërbejë Zotin, Kishën dhe njerëzit, pa patur asnjë mendim avantazhi personal. Falënderoni, pra, me mua Zotin dhe ta lusim që të ..... veprojë me punën e pasardhësit tim, ipeshkvi juaj i ri Imzot Gjergji, që ka dashur të jetë i pranishëm në këtë Meshë dorëzimi dhe që ju kërkoj edhe një herë ta doni dhe bashkë me të të vazhdoni të mbillni fara dashurie, vërtetësie dhe bashkëpunimi vëllazëror, me një shikim dashamirësie drejt më të varfërve, drejt atyre që vetë Zoti ka dashur që të jenë në qendër të ungjillit të tij”.

Po më tepër rreth kësaj ngjarjeje kishtare për dioqezën e Rrëshenit të Mirditës e tërë Kishën në Shqipëri, flasim me zëvendës-famullitarin e Katedrales së Rrëshenit, dom Agustin Bardhin.....

Gjatë vizitës së fundit Ad Limina Apostolorum në Vatikan, në maj të këtij viti,  imzot Palmieri në mikrofonin e Radio Vatikanit, foli për Kishën katolike në Mirditë, ta dëgjojmë një fragment....

Teksti i plotë i homelisë së ipeshkvit të dioqezës së Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmieri, mbajtur gjatë Meshës së falënderimit, në Katedralen e Rrëshenit, me të cilin kremtim u përshëndet me besimtarët, klerin dje rregulltarët e kësaj Kishe dioqezane në përmbylljen e shërbimit të tij ipeshkëvnor.

Fort të dashur të gjithë, një nga një,

faleminderit që keni ardhur në këtë Eukaristi që nuk don të jetë sigurisht as një lamtumirë, as ndonjë gjë tjetër e këtij lloji që mund të imagjinohet, në rast kalimi përgjegjësie dhe shërbimi, por vetëm për një mbështetje vëllazërore dhe të përbashkët duke i thënë faleminderit Hyjit dhe juve për atë çka së bashku, dhe në mënyra të ndryshme, kemi menduar, thënë dhe vënë në vepra.

Nuk është lamtumirë sepse as vdekja arrin të ndajë vëllezërit nga dashuria e Hyjit nga e cila vjen bashkimi që, gjithmonë me dashurinë e tij, na ka mbajtur të bashkuar njëri me tjetrin ashtu siç mendoj se do të bëjë akoma për ata që kanë dashur apo që do të duan. 

Nuk është për të drejtuar vështrimin në të kaluarën dhe për të nxjerrë shumën e atyre gjërave të bëra apo jo, pse jo duke i kërkuar falje njëri-tjetrit për të keqën e bërë apo të pësuar ... nëse do të ishte kështu, atëherë nota do të vinte më e gjatë për motivet e ankesave për gjërat që nuk janë bërë apo që janë bërë keq, ashtu edhe për pëlqimin e atyre pak apo shumë gjërave të mira që janë bërë.

Por meqenëse nuk jemi këtu as për t’ju komunikuar një të nesërme të re timen që nuk e di derisa do të më jepet... dhe pra të mund të ëndërrojmë me ju ëndrra të reja, projekte të reja, them që tani që kam dashur t’ju takoj vetëm për të dëshmuar, akoma edhe një herë, përballë të gjithëve, fenë time në atë që është gjithmonë objekti kryesor, edhe se për fat të keq jo gjithnjë ekskluziv, për dashurinë time, për të menduarit tim, për të vepruarit tim dhe pra për të dëshmuarit tim: “Krishti, adhuruesi i Atit dhe ungjillëzues i të varfërve”.

Po, fort të dashur, për të mos rrezikuar bilance të rremë apo për ti dhënë vetes merita që nuk kam, dua që ta dini të gjithë se si, jeta ime meshtarake është udhëhequr që nga fillimet e saj, nga përshpirtëria ungjillore e atit të të varfërve Shën Vinçenc de Paoli, nga kur mora detyrën e ëmbël dhe impenjative, duke dashur të jem meshtar vetëm për tu shpallur të gjithëve, afektivisht dhe efektivisht, dashurinë e Krishtit,... në përpjekje të mbetem besnik duke kujtuar herë pas here, të gjithëve atyre që me mua bashkëndanin etapa të ndryshme të jetës time, deri në citimin edhe mbi stemën ipeshkëvnore me fjalët e emblemë të apostullit Pal “Krishti paqja jonë”.

Sigurisht nuk e them për avantazh apo për lavdërim personal, sepse nuk kam bërë asgjë tjetër, në këto vite të shumta dhe të ndryshme të shërbimit tim si misionar, meshtar dhe ipeshkëv, sesa çdo i krishterë, dhe pra edhe secili prej jush, duhet të impenjohet të bëjë, ashtu siç u mësonte të krishterëve të vet, dhe sigurisht edhe ai në dritën e ungjillit, shën Gregori i Nisës, në traktatin e tij “ideali perfekt i të krishterit” ku shkruante: “Krishti është paqja jonë, Ai që ka bërë me ne një popull të vetëm. Duke menduar që Krishti është paqja, ne do të demonstrojmë se mbajmë denjësisht emrin e të krishterit nëse nëpërmjet asaj paqeje që është në ne, do të shfaqim Krishtin në jetën tonë”.

Apo ashtu siç gjatë kohës lexova në Raniero Cantalamessa, shumë i njohur për shumë prej nesh, “nga nevoja e secilit prej nesh për tu dashuruar me Krishtin që më pas të bëj që të bien në dashuri me të edhe të tjerët, të bindur se nuk ka tjetër thirrje më të bukur se sa kjo: “të vësh Krishtin si vulë mbi zemrën tënde”.

Nuk ja kam dalë sigurisht aq mirë sa të them me shën Gregorin e Nazianzios: “për ty unë jetoj, për ty unë flas, për ty unë ndalem, o Krisht Zot; për ty heq gjurmën e këmbës, që ti të më mbulosh me dorën tënde; edhe tani, ndërkohë, më udhëhiq në fund të rrugës time, ti që je rruga e drejtë...” por më ndjeni, kam besim në mëshirën e tij...

E nëse më pas njerëzit do ta mendojnë ndryshe dhe të gjykojnë me pak dashamirësi atë çka kanë dëgjuar nga unë apo çfarë kanë parë të bërë nga unë, nuk bëhem merak aspak... cilido qoftë imazhi që do të ruajnë për mua, nuk është shumë problem, mjaft të më kujtojnë si një të krishterë, si një meshtar, si një ipeshkëv që është munduar të shërbejë Zotin, Kishën dhe njerëzit, pa patur asnjë mendim avantazhi personal.

Falënderoni pra me mua Zotin dhe ta lusim që të plotësojë në mua në gjithësi veprën e nisur nga Ai, që të mund të përmbyllë këtë kapitull tjetër të historisë së jetës time, kapitull i nisur 24 vite më parë dhe që do ta konsideroj të mbyllur më datë 2 shtator të këtij viti 2017 me fillimin e shenjave të tjera të dashurisë, të asaj dashurie që do të fillojë të veprojë me punën e pasardhësit tim, ipeshkvi juaj i ri Imzot Gjergji, që ka dashur të jetë i pranishëm në këtë Meshë dorëzimi dhe që ju kërkoj edhe një herë ta doni dhe bashkë me të të vazhdoni të mbillni fara dashurie, vërtetësie dhe bashkëpunimi vëllazëror, me një shikim dashamirësie drejt më të varfërve, drejt atyre që vetë Zoti ka dashur që të jenë në qendër të ungjillit të tij.

Por më lejoni të falënderoj publikisht edhe të gjithë ata që në këto vite të shumta shërbimi baritor, në mënyra dhe me përgjegjësi të ndryshme të ushtruara, më kanë qëndruar pranë, miq, shokë, mbështetës, këshilltarë, bamirës.

Mes të parëve Papa Gjon Pali II që më deshi Administrator Apostolik të kësaj dioqeze të sapolindur... Papa Benedikti XVI që më deshi më pas Ipeshkëv, papa Françesku që zgjati për më shumë se 3 vite këtë shërbim timin ipeshkvor, me besim së pakut ndaj shëndetit tim.

Faleminderit meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe Don Gianfrancos në veçanti, besnik ndaj çdo detyre të besuar.

Për secilin prej jush, vëllezër dhe motra dhe do të doja t’ju thoja edhe arsyet, por jo vetëm do të shkonim shumë gjatë, por edhe sepse besoj se secili prej jush e di që e ndjen brenda zemrës së vet.

Faleminderit bashkëvëllezërve Ipeshkvij  dhe paraardhësit tim Mons. Angelo Massafra në veçanti.

Faleminderit Nuncëve të dashur, të gjithë të vlerësuar prej meje dhe prej miqësisë dhe këshillave të të cilëve kam gëzuar.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve laikë, nga më të ngushtët deri tek ata që herë pas here, më kanë ofruar gjithçka kam patur nevojë për të shërbyer më mirë Ungjillin dhe Bamirësinë apo të shoh për nevojat e mija të përditshme.

Faleminderit të gjithë popullit besimtar që jam munduar të shërbej me një dashuri jo gjithnjë të lehtë për tu kuptuar, por të sinqertë dhe pa asnjë interes personal.

Askujt nuk kam asgjë për ti lënë si kompensim, por të gjithëve u lë detyrën të vazhdoni të doni atë që jam munduar të dua: Krishtin, të varfrit, dhe mes tyre të rinjtë e Shkollës profesionale “Shën Jozefi”.

Për të gjithë lutja ime mirënjohëse dhe ftesa e përsëritur për të falënderuar me mua Zotin sepse e amshueshme është dashuria e tij për ne dhe sepse jo neve por vetëm atij, i qoftë lavdërim dhe lavdi për të gjitha kohët dhe për amshim Amen!

29/08/2017 00:00