2017-08-29 15:44:00

Dita kundër provave bërthamore. Angazhimi i Papës kundër armëve atomike


U kremtua sot Dita ndërkombëtare kundër provave të armëve bërthamore, miratuar nga Asambleja  e Përgjithshme e OKB-së më 2009, me objektiv promovimin e parimit të zhdukjes së armëve bërthamore e me theksimin se “duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për t’u dhënë fund provave bërthamore, duke zhdukur, kështu, edhe pasojat e tyre shkatrrimtare mbi jetën e njerëzve”. Që në krye të papnisë së tij, Françesku e ngriti fort zërin për zhdukjen e armëve bërthamore.

Më 7 dhjetor 2014, Papa i drejtoi një mesazh Konferencës së Vjenës mbi  ndikimin humanitar të armëve bërthamore. Për Françeskun, duhet një etikë globale, nëse dëshirojmë ta kufizojmë kërcënimin nga armët bërthamore e të punojmë për çarmatimin bërthamor. “Frika  nga armët bërthamore dhe kërcënimi i shkatërrimit të sigurt reciprok - shkruan akoma Papa - nuk mund të jenë baza e etikës së vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore  ndërmjet popujve dhe shteteve. Akoma - nënvizon - shpenzimet për armët bërthamore e shkapërderdhin pasurinë e kombeve e, kur këto pasuri shkapërderdhen, haraçin e paguajnë të varfërit e të ligshtit, që jetojnë  të mënjanuar nga shoqëria. Prej këndej, Papa u kërkon liderëve botërorë të angazhohen konkretisht për një botë pa armë bërthamore.

Më 25 shtator, duke folur para Kombeve të Bashkuara në New York, Papa e dënoi ashpër përhapjen e armëve bërthamore, sidomos atyre të shkatërrimit në masë. Duhet të angazhohemi për një botë pa armë bërthamore - vërejti në Asamblenë e Përgjithshme të Pallatit të Qelqit - duke e vënë plotësisht në jetë Traktatin për mospërhapjen, në letër e në shpirt, për të shkuar, pastaj, drejt ndalimit të plotë të këtyre mjeteve të shkatërrimit e të vdekjes.

Kundër armëve bërthamore Papa shprehet në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes. Në dokumentin e botuar ditën e parë të janarit 2017, kushtuar mospërdorimit të dhunës, Françesku i drejtoi bashkësisë ndërkombëtare thirrjen “për çarmatimin si dhe për ndalimin e zhdukjen e armëve bërthamore; frika bërthamore dhe kërcënimet për shkatërrim të sigurt reciprok nuk mund ta themelojnë këtë tip etike” – theksoi.

Në mars të këtij viti, Françesku inkurajoi, me një mesazh, pjesëmarrësit në Konferencën e OKB-së për miratimin e një Traktati mbi ndalimin e armëve bërthamore. Në të Papa ripohon me forcë se duhet angazhim urgjent për një botë pa armë bërthamore”. “Duhet të pyesim edhe - shkruan Françesku - sa i qëndrueshëm është ekuilibri i bazuar mbi frikën, kur synon ta thellojë këtë frikë e të minojë marrëdhëniet e mirëbesimit ndërmjet popujve”. “Objektivi përfundimtar i zhdukjes së plotë të armëve bërthamore - përfundon - bëhet si sfidë, ashtu edhe detyrë themelore  morale e humanitare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.