Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 28 gusht kalendari kujton shën Agostinin, ipeshkëv

Kisha kujton Shën Agostinin. I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!.

28/08/2017 11:46

Kisha kujton sot Shën Agostinin, njeri i shqetë, në kërkim të së vërtetës, filozof e pastaj ipeshkëv i Iponës. Jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti është përgjigja e vetme e shqetësimeve tona. Pra me 28 gusht kalendari kishtar përkujton shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, autor i shkrimeve të shumta, është ndër Etërit e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet dhe dogmat e krishterimit.

Jashtëzakonisht të njohura janë ‘Rrëfimet’ e shën Agostinit, një autobiografi e veçantë në të cilën shenjti afrikan rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje drejt kthimit tek Zoti. Njerëzimi ka nevojë ta njohë e ta jetojë realitetin e Hyjit dashuri; takimi me Të është e vetmja përgjigje për shqetësimet e zemrës njerëzore”: ky është mësimi i madh që Shën Agostini i la trashëgim njerëzimit.

Mendimi i Shën Agostinit është urë ndërmjet kulturave, edhe sot tejet aktual për mbarë botën. “Lavdia më e madhe është ta mbytësh luftën me dialog, e jo njerëzit me shpatë, ta mbrosh paqen me paqe, e jo ta ruash me luftë.” Kështu shkruante mes tjerash Shën Agostini në Letrën e 229-të.

Trinomi agostinian janë e vërteta, dashuria dhe bukuria. Shën Agostini lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri, më 13 nëntor të vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë të krishterë, por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më 387 shkoi në Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi vendimtare për kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit. U rikthye në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare.

Pas vdekjes së nënës, shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike, mistike, filozofike e polemike pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive, me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare.

Veprat, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet”, "Qyteti i Zotit" e “De vita christiana”, jo vetëm që i dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale. I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!.

Shën Agostini është një model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai kërkonte një fe, që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma, por njëkohësisht e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep (dhuron) jetë. Ky kërkim e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në sintezën ndërmjet fesë e arsyes.

Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit.
“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikarritjen e Shën Agostinit, Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”.

Harmonia ndërmjet fesë e arsyes, sipas mësimit të Shën Agostinit, na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij. Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vetvetja”.

Në reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për jetën, posaçërisht në shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun, mësojmë se: “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”.

“Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot, e Shën Agostini vë në dukje se Krishti është Ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Pastaj duke folur për konceptin e Kishës në vizionin agostinian,  ipeshkvi i Iponës e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit dhe shtëpia e Hyjit’. Në përfundim, me pak fjalë, mund të themi se Shën Agostini i mëson njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!

"Vonë të kam dashur, o bukuri kaq e vjetër dhe kaq e re, vonë të kam dashur. Dhe ja ti ishe brenda meje dhe unë isha jashtë, dhe atje të kërkoja. Dhe unë, i shëmtuar, po tallesha me gjërat e bukura nga ty të krijuara. Ti ishe me mua dhe unë nuk isha me ty." 

28/08/2017 11:46