Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Takimi Botëror i Familjeve në Dublin. Gentili: “Familja, gur themeli”

Takimi Botëror i Familjeve në Dublin - RV

27/08/2017 09:30

“Ungjilli i Familjes: gëzim për botën”: kjo është tema e Takimit IX Botëror të Familjeve. Të hënën, në shenjtëroren e Knock-ut në Irlandë, u paraqit udha e përgatitjes së tij. Manifestimi ndërkombëtar, themeluar nga shën Gjon Pali II, zhvillohet çdo tri vjet e kësaj radhe, do të mbahet në Dublin nga 21 deri më 26 gushtin e ardhshëm. Në një konferencë për shtyp, folën për të kryeipeshkvi Diarmuid Martin, së bashku me atë Timothy Bartlett, sekretar i përgjithshëm i takimit.

         Në letrën e 25 marsit të këtij viti, Papa Françesku i pati ftuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e Takimit të Familjeve të thellohen në mësimet e Nxitjes apostolike “Amoris laetitia”, me të cilën Kisha dëshiron që familjet të jenë gjithnjë për udhë, në shtegtimin shpirtëror, që dëshmon se e jetojnë me të vërtetë historinë e tyre. Drejtori i zyrës për baritorinë e familjes në Konferencën Ipeshkvnore Italiane, don Paolo Gentili, është pjesë e ekipit ndërkombëtar, që ndihmoi në përgatitjen e takimit. Ishte hera e parë, që mblidhej një grup nga përvoja të ndryshme kishtare në botë.

Organizatorët kanë hartuar programin “Amoris. Flasim për familjen! Jemi familje!”. Duke u nisur nga “Amoris Laetitia”, famullitë e gjithë botës do të ndajnë së bashku video, tekste, veprimtari për t’u vënë në udhë drejt gushtit të 2018-ës në Irlandë. Ja ç’thotë don Paolo:

         “Kisha e Irlandës ka problemin e pjesëmarrjes, që në vitet e fundit, është zvogëluar jashtëzakonisht. Është Kishë në kërkim, që po na tregon edhe mënyra të reja, bazuar mbi atmosferën shtëpiake. Ne jemi mësuar me një famulli, që bazohet mbi struktura, takime, rrugë e propozime, por kjo nuk mjafton. Duhet më shumë: të hyjmë nëpër shtëpi e ta jetojmë përditshmërinë e jetës familjare nga afër, duke zbuluar dinamikën e Ungjillit si motorr i saj. Ndoshta, sot, shohim tek familja gurthemelin e jo aq problemet për t’u zgjidhur. Ajo është vërtet, dritarja që na tregon dritën e një bashkësie të re, e cila mban erën e Ungjillit të familjes”.

         Më 21 gusht 2018 do të përurohet Takimi IX ndërkombëtar i Familjeve në të gjitha dioqezat irlandeze. Pastaj, më 22 e 24 gusht, kongresi; më 25, festivali i familjeve dhe më 26 gusht, mesha e mbylljes.

27/08/2017 09:30