Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Di Tora: Mesazhi i Papës për emigrantët u jep atyre dinjitet

Një polic ngushëllon një refugjate eritrease, që ka mbetur pa shtëpi në Romë - ANSA

27/08/2017 09:30

“Mikpritje dhe integrim”: thelbi i Mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 21 janarin e ardhshëm, përmblidhet pikërisht në këto dy fjalë. Mesazhi u bë i njohur javën e kaluar. Fenomeni i emigracionit përfshin gjithë botën. Në Amerikë, janë me miliona njerëzit, që përmes Meksikës, përpiqen të arrijnë në SHBA-të apo në Kanada. Dhe Evropa po përjeton një fluks të paparë, për shkak të luftrave në Lindjen e Mesme e të gjendjes në kontinentin afrikan.

         Një nga pjesët qendrore të mesazhit të Papës i kushtohet njohjes së “ius soli”, së drejtës universale për të marrë nënshtetësinë e vendit ku lindin, për të gjitha foshnjet, që në ditën e parë të jetës. Po ashtu, Ati i Shenjtë u kushton vëmendje të veçantë apolidëve, pra, njerëzve pa nënshtetësi, gjendja e të cilëve mund të kapërcehet përmes një legjislacioni më të drejtë për marrjen e nënshtetësisë, sipas së drejtës ndërkombëtare. Është një argument për të cilin po flitet këto kohë në Itali, ku është propozuar një ligj për “ius soli”-n.

         “Nënshtetësia e të sapolindurve – thotë në mikrofonin tonë, kryetari i Fondacionit Migrantes dhe të Komisionit Ipeshkvnor Italian për emigracionet, imzot Guerino di Tora – është ky problemi i madh, për të cilin Papa flet konkretisht. Nuk mund të mendohet që fëmijët, të cilët lindin në një komb të caktuar, të jenë apolidë, pa shtetësi. Kjo mund të shmanget përmes një legjislacioni mbi nënshtetësinë, sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Të mos harrojmë se kombet e mëdha të botës – për shembull, SHBA-të, Australia – janë formuar nga emigracionet”.

         E për ata, që nuk janë dakord me fjalët e Papës Françesku, imzot Di Tora sqaron: “secili ka mendimin e vet, por Papa flet për parime universale dhe humanitare, që duhet të njihen e të mbrohen. Këtu jemi para një realiteti, ku duhet mbrojtur dinjiteti i njeriut”.

27/08/2017 09:30