Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit kishtar ‘A’

Fjala e Zotit - RV

26/08/2017 14:00

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Tema qendrore e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele është dhurata e autoritetit për qeverisjen dhe udhëheqjen në fe të popullit të Zotit, drejt shtëpisë së Atit Qiellor..

Teksti i Izaisë profet (Leximi I) e Psalmi 137 na thonë se Zoti për të mirën e popullit të vet e zgjedhë atë person që është i përvujtë dhe e ndjek vullnetin e tij Hyjnor. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, para rrëfimit të fesë nga ana e Pjetrit, Zotëria Jezus përgjigjet duke e zgjedhur atë e nxënësit tjetër për të qenë gurë të bashkësisë së re të besimtarëve. Autoriteti vjen prej Zotit e është dhuratë për t’u mbarështuar apo administruar sipas planit të Tij Hyjnor për të mirën e të gjithëve.

Pra, rrëfimi i fesë së Pjetrit, në përgjigje të pyetjes së Jezusit: po ju ç’thoni se kush jam unë?, bëhet tema kryesore e Meshës së kësaj diele të 21 gjatë vitit kishtar. Pra Ungjilli i kësaj së diele na paraqet rrëfimin mesianik të Pjetrit apostull.

Pra, në ungjillin e kësaj së diele, Jezusi pyet: “E ju kush mendoni se jam unë?”. Këtë pyetje ua drejton dishepujve të vet, por përgjigjen na e kërkon edhe ne e të gjithë njerëzve, në të gjitha kohrat. Kush është Jezusi për ne? Mateu ungjilltar paraqet disa përgjigje të njerëzve përreth Jezusit, por Mësuesit i intereson të dijë mendimin e të vetëve. Sot, kjo pyetje merr rëndësi themelore. Tepër shpesh krijojmë një Zot, sipas mendjes sonë, si të na pëlqejë ne. Ose zgjedhim aspektet më të rehatshme, duke kapërcyer ato, që ndikojnë drejtpërdrejt në qetësinë tonë e vënë gjithçka në diskutim.

 Për të arritur në përgjigjen e shën Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë” është e nevojshme një udhë ndryshimi shpirtëror. Duhet një shqyrtim i thellë brenda vetes për të kuptuar si e jetojmë fenë në veprat e përditshme. A besojmë vërtet në Krishtin, që na është dëftuar në Ungjill? Në Leximin e dytë, shën Pali apostull nënvizon pashqyrtueshmërinë e rrugëve të Zotit dhe të mendimeve të Tij. Edhe Isaia profet, në Leximin e parë, kumton se Hyji do t’i ndryshojë krejtësisht planet e njerëzve e vetëm Ai do t’i japë udhë historisë.

                   Liturgjia e Fjalës së Zotit
 

Leximi i parë (Is 22, 19-23) 
Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet 
Kështu thotë Zoti Sebnës: “Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë baba për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij. Fjala e Zotit. 

Psalmi 138 (137)
Ref: Mos na braktis, o Zot, për dashurinë e besnikërinë tënde. 

_____________________________
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, 
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve, 
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
_____________________________

E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde, 
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, 
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
_____________________________

Sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët
e prej së largu i dallon krenarët.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 11, 33-36) 
Gjithçka është prej Tij, nëpër Të dhe për Të.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij! E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’ 
Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen! Fjala e Zotit
 

Ungjilli (Mt 15, 21-28)

Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut 
Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’ thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” 
Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” 
“Po ju – u tha atyre – ç’ thoni: kush jam unë?” 
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” 
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! 
Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” 
Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia. Fjala e Zotit. 
 

26/08/2017 14:00