Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Parolin: Papa, i kënaqur për vizitën në Rusi, klimë e re me Moskën

Kardinali Parolin me Patrikun Kirill - EPA

25/08/2017 14:01

Udhëtim nën shenjën e ndërtimit të urave, në një atmosferë dëgjimi e dialogu. Një ditë pas kthimit nga Rusia, kardinali Pietro Parolin u dha këtë intervistë mediave të Sekretarisë për Komunikimin:

Pyetje: - Hirësi, kuptohet se pritej shumë nga  shtegtimi juaj në Rusi. Me ç’ndjenja u kthyet në Vatikan?

Përgjigje: - Besoj se bilanci i këtij shtegtimi është shumë pozitiv e, prej këndej, natyrisht ndjenjat e mia janë ato të mirënjohjes ndaj Zotit, që më shoqëroi gjatë këtyre ditëve. Takimet - si me autoritetet civile, ashtu edhe me Presidentin Putin, me Ministrin e jashtëm Lavrov e pastaj edhe me krerët e hjerarkisë së Kishës ortodokse ruse, domethënë me Patrikun Kirill dhe Metropolitin Hilarion - u karakterizuan nga atmosfera e përzemërsisë, e dëgjimit, e respektit. Mendoj se ishin takime kuptimplote e edhe konstruktive. E theksoj këtë fjalë: konstruktive. Natyrisht kujtoj edhe takimin me bashkësinë katolike. Posaçërisht, falë bisedës e dialogut që patëm me ipeshkvijtë në nunciaturë, u krijuan mundësitë për ta njohur  më nga afër realitetin, jetën e bashkësisë katolike në Rusi, gëzimet e saj, shpresat, por edhe sfidat e vështirësitë që duhet të përballojë. Këto të fundit, pjesërisht, u bë e mundur t’i paraqiten edhe autoriteteve të vendit. Po kujtoj një, për të gjitha: kthimin e disa kishave, të konfiskuara që në kohët e regjimit komunist, në një çast kur bashkësia katolike ka shumë nevojë për vende të përshtatshme kulti.

Pyetje: - A patët mundësi të flisni menjëherë me Atin e Shenjtë për shtegtimin? Ç’ju tha për rezultatet e arritura?

Përgjigje: - Po, natyrisht, sapo u ktheva, u dëgjova me Atin e Shenjtë. E vura në dijeni për rezultatet e shtegtimit e, natyrisht, i përcolla edhe përshëndetjet që m’u besuan nga të katër anët, kudo shkela, si nga bashkësia katolike, ashtu edhe nga autoritetet. Kujtoj se Presidenti Putin - besoj se është e  regjistruar pjesa publike e takimit - nënvizoi se i kujton vazhdimisht takimet e tij, më 2013 e 2015, me Papën Françesku. Ia përcolla  Françeskut edhe përshëndetjen vëllazërore të Patrikut Kirill. Natyrisht Papa i priti me kënaqësi këto shprehje miqësie, ashtu si edhe rezultatet pozitive, që i transmetova. Papa, siç e dimë - gjë që e përsëriti  dhe në këtë rrethanë - është shumë, shumë i vëmendshëm ndaj të gjitha rasteve të mundshme të dialogut, i vlerëson lart këto raste dhe kënaqet shumë kur bëhen hapa përpara në këtë drejtim.

Pyetje: - Cilat janë temat kryesore, që u prekën në bisedimin me Patrikun Kirill?

Përgjigje: - Kryesisht u ndaluam pak tek kjo klimë, kjo atmosferë e re, që mbretëron në marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Kishës katolike, falë edhe takimit të Patrikut me Papën, në Havanë, pasuar nga  takimi i këtyre ditëve. Çka më preku më tepër, ishin mbresat që u  kishte lënë të gjithëve vizita e Relikeve të Shën Kollit të Barit në Moskë e në Shën Pjetërburg, në kuptimin se të gjithë ishin prekur thellë nga feja e nga përshpirtëria e popullit. U theksua se shumë rusë të traditës ortodokse, por që nuk e ndjekin Kishën, pra nuk e praktikojnë fenë, në këtë rast u rikthyen në Kishë. Flitet për dy milionë e gjysëm besimtarë, që i vizituan reliket. Më duket se si ana e tyre, ashtu dhe ana jonë - dëshiron të ecë më tej në udhën, që hapi kjo fazë e të vijojë bashkëpunimin në fusha nga më të ndryshmet e në nivele të ndryshme: duke nisur nga bashkëpunimi kulturor – tek ai akademik e humanitar. U ngulmua shumë në këtë pikë, me besimin se të dyja Kishat,  gjatë situatave të konfliktit që ekzistojnë në botë, mund të kryejnë, së bashku, vepra shumë të frytshme humanitare. U prekën  - me respekt, por edhe me sinqeritet – tema të vështira, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave, me rezultate që, për mendimin tim, ishin shumë pozitive, sepse u fol kryesisht për udhët që duhen përshkuar në përpjekjen për t’i zgjidhur këto probleme.

Pyetje: - Ja, Hirësi, lidhur me temat më delikate ndërmjet Rusisë e Selisë së Shenjtë: një prej tyre është Ukraina. Ju vetë e vizituat Ukrainën një vit më parë. A pati ndonjë të re për këtë, gjatë udhëtimit tuaj?

Përgjigje: - Të reja, së paku deri në këtë çast, nuk kemi… ndoshta është e parakohshme të flitet për të reja. Selia e Shenjtë nguli këmbë posaçërisht tek aspektet humanitare, duke filluar nga nisma e Papës për Ukrainën. Në këtë kuptim, për shembull, një nga temat është ajo e lirimit të të burgosurve, e edhe tema e armëpushimit, e ndalimit të zjarrit, tema e kushteve të sigurimit në territor e edhe tema e kushteve politike, që të mund të  ecet përpara në zgjidhjen globale.

Pyetje: - Shtypi i kushtoi, natyrisht, vëmendjen më të madhe, takimit tuaj në Sochi, me Vladimir Putinin. Si shkuan bisedimet me Presidentin rus?

Përgjigje: - Besoj se biseda me Presidentin rus përfshihet në vlerësimet që bëra në fillim: ishte takim respektues, gjatë të cilit u krijuan mundësitë për të përballuar të gjitha temat, që i kishim më për zemër, si për shembull, temën e Lindjes së Mesme, e, sidomos, të situatës në Siri. E në këtë kontekst, edhe temën e pranisë së krishterë në këto zona. Dihet se një nga përkimet ndërmjet Rusisë e Selisë së Shenjtë ka të bëjë pikërisht me këtë vëmendje ndaj situatës të të krishterëve. Pastaj folëm edhe për Ukrainën e prekëm edhe temën e Venezuelës: e pashë se edhe shtypi i kujtoi disa nga deklaratat, që u bënë në këtë drejtim.

Pyetje: - Në fund, Hirësi, pas takimeve më domethënëse, a mund të na kujtoni edhe ndonjë çast ose aspekt të veçantë, që do të dëshironit ta nënvizoni?

Përgjigje: - Po, çastin e bukur të Meshës, në gjirin e bashkësisë katolike. Katedralja ishte përplot me njerëz, gjë që na çuditi, sepse ishte ditë jave e, prej këndej, nuk pritej gjithë ajo turmë. Një çast tjetër i paharrueshëm ishte vizita te Motrat e Nënë Terezës, që punojnë në Moskë. Mundëm t’i takojmë e t’i përshëndesim të gjithë të varfërit, që i asistojnë. Edhe aty njerëzit shprehën dashurinë e tyre të madhe për Papën. E pastaj, gjëja e fundit që dua të kujtoj: më la mbresë të thellë vizita, një mbrëmje, në Katedralen e Krishtit Shëlbues, katedrale ortodokse e Moskës, po ajo, që u hodh në erë gjatë regjimit komunist. Ishte, prandaj, çasti, për ta treguar këtë histori tepër të dhimbshme të asaj epoke, në të cilën synohej që feja të shkulej me gjithë rrënjë nga zemrat e besimtarëve e të zhdukej përgjithmonë çdo shenjë e pranisë së Zotit dhe Kishës mbi dhe. Po Kisha ishte përsëri aty, e aty ishte edhe Zoti, që është shumë më i madh se planet e njerëzve!

25/08/2017 14:01