"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Me këto fjalë të thjeshta e pati përmbledhur gjithë jetëshkrimin e saj, Shën Nënë Tereza, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, së cilës iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910, u kthye në shtëpinë e Atit më 5 shtator 1997, u shpall e Lume më 19 nëntor 2003, nga Gjon Pali II e Shenjtore, nga Papa Françesku më 4 shtator 2016. Jetoi e vdiq me sytë ngulur te Kryqi, të cilit i kushtoi, ndërmjet tjerash, edhe skicën, që e zgjodhën sot, për ta kujtuar në 107-vjetorin e ditëlindjes:
“Po t’ia ngulësh sytë Kryqit, do të vëresh se Zoti e ka kokën të përkulur drejt teje: dëshiron me të puthë… E krahët i ka të hapur. Dëshiron me të rrokë! Në kraharorin e shporuar i duket zemra, nga e cila del një pëshpëritje e lehtë. Zemra e Zotit të thotë: “Po të pres!”.
Atëherë kur ta ndjesh veten shpirtërisht të mjerë, shikoje Kryqin, e do
ta kuptosh Fjalën e pafolur! Vuajtja, dhimbja, pakënaqësia, nëpërkëmbja, poshtërimi,
vetmia, s’janë tjetër, veçse puthja e Jezusit! Shenjë se i je afruar aq pranë Zotit,
sa ai, më në fund, mundet me të puthë! E puthja e Zotit është e vetmja shtyllë guri,
ku mund të mbështetesh, pa frikë nga rrëzimi! Kur të puth Zoti, trishtimi ik si shpend
i egër,
andej kah vjen terri...”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |