Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Rusi: Putin Parolinit: klimë pozitive, respekti e dëgjimi reciprok

Kardinali Parolin takohet me Presidentin Putin - EPA

24/08/2017 12:29

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e përfundoi dje vizitën e tij të parë në Rusi, duke u takuar me Presidentin Vladimir Putin në selinë e Sochit, mbi Detin e Zi. Në mbrëmje kardinali u rikthye në Moskë e sot, në Vatikan, pas kremtimit të Meshës private në nunciaturë.

Klimë e përzemërt, pozitive, dëgjimi reciprok

Takimi zgjati rreth një orë e, siç njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, u zhvillua në atmosferë pozitive, të përzemërt, respekti e dëgjimi reciprok. U shkëmbyen mendime mbi tematika të larmishme me interes dypalësh e ndërkombëtar. Kardinali Parolin falënderoi Presidentin rus dhe autoritetet e këtij vendi për ftesën që i bënë, për mikpritjen, takimet dhe nismat, që po i thellojnë marrëdhëniet me Federatën Ruse, duke kujtuar edhe marrëveshjen, nënshkruar të martën e kaluar, lidhur me udhëtimin pa vizë për diplomatët.

Me Vatikanin, dialog konstruktiv dhe vlera humanitare të përbashkëta

Presidenti Putin, gjatë bisedës me kardinalin Pietro Parolin, theksoi edhe se e vlerëson lart dialogun konstruktiv e të besueshëm me Vatikanin. Takimi vijoi me kujtimet e Presidentit rus lidhur me vizitën e tij në Vatikan. Putin foli për pritjen e përzemërt, që i bëri Papa, duke theksuar se e kujton vazhdimisht bisedën me Françeskun. E vlerësojmë faktin se marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve të mia me Papën po realizohen - nënvizoi - për të shtuar më pas se Rusia e vlerëson dialogun e drejtpërdrejtë, që ka nisur ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Selisë së Shenjtë e edhe se punon vazhdimisht për vënien në jetë të marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve të tij me Papën.

Ndërmjet dy Kishave, zhvillime të reja vitet e muajt e fundit

Vlerat humanitare të përbashkëta janë në bazë të marrëdhënieve ndërmjet Federatës Ruse e Vatikanit, ashtu si dhe ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse, kujtoi në vijim presidenti Putin. Nënkuptonte, kështu, bisedimin e kardinalit Parolin me Patrikun Kirill të Moskës e të gjithë Rusive, gjatë të cilit Prelati i lartë vatikanas bëri thirrje për shpejtimin e hapit drejt bashkimit të dy Kishave motra. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, u ndal edhe tek zhvillimet e reja, që vijojnë vitet e muajt e fundit e që po e thellojnë gjithnjë më shumë bashkëpunimin dhe afërsinë ndërmjet dy Kishave. Ndërsa Presidenti kujtoi takimin e Papës me Patrikun, vitin e kaluar, në Havanë e, sidomos, e falënderoi posaçërisht Françeskun për mbartjen e  relikeve të Shën Kollit nga Bari, në Moskë e Pjetërburg, ku u nderuan nga më se 2.3 milion  besimtarë.

E pikërisht reliket e Shën Kollit i kujtoi kardinali Parolin në krye të bisedimeve me Putinin, duke e quajtur çast të madh në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse ruse, njëherësh me takimin e Papës me Patrikun e Moskës në Havanë. Tani Shën Kolli është kthyer “në shtëpi”, por mrekullia e relikeve i nxiti ata, që e ndoqën nga afër vizitën e kardinalit Parolin në Moskë, të hamendësojnë se Bari mund të ishte një vend shumë i përshtatshëm për një takim të ri, si ai i Havanës. E për një mrekulli të re të Shën Kollit!

Të dyja palët shprehën kënaqësinë e njëkohësisht edhe dëshirën për vijimin e dialogut.

Më 2018, një ekspozitë në Vatikan mbi trashëgiminë shpirtërore ruse

Veç Presidentit rus, Selinë e Shenjtë e falënderuan edhe dashuronjësit e artit  të cilët, siç tha edhe Presidenti, e vlerësuan shumë organizimin e një ekspozite me vepra ardhur nga Muzetë e Vatikanit në Galerinë Tretiakov të Moskës. Për shkëmbimin e kësaj nisme të bukur arti, pala ruse do të hapë, në vitin 2018, në Vatikan, një ekspozitë me titull: “Trashëgimia shpirtërore e artit rus të ikonave, në artin modern”.

 Dhuratat në përfundim të bisedimeve

Në përfundim të bisedimeve, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, Sekretari i Shtetit Parolin i dhuroi Presidentit Putin një punim artistik, me një degë ulliri, simbol i paqes, skalitur mjeshtrisht në bronz. Ndërsa Presidenti ia ktheu, duke i dhuruar një seri monedhash nga koleksioni kushtuar Olimpiadës së Sochit.

24/08/2017 12:29