Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nënë Tereza dhe mbrojtja e jetës

Nënë Tereza me një fëmijë

24/08/2017 12:37

Ashtu si javën e kaluar, edhe emisionin e sotëm të 24 gushtit ia kushtojmë një aspekti të jetës së Nënë Terezës, duke pasur parasysh se të shtunën, më 26 gusht, në përvjetorin e lindjes së saj, nis periudha kushtuar shenjtes së madhe shqiptare, që vijon deri më 5 shtator, ditën në të cilën ndërroi jetë në Kalkutë. Sot, Nënë Tereza dhe mbrojtja e jetës.

Ç’do të thotë të mbrosh jetën dhe kulturën e jetës? Nënë Tereza nuk krijoi ndonjë ideologji apo teori për këtë, për të ushqyer veprimtaritë e një morie shoqatash “pro-life”, por me gjithë qënien e me gjithë ekzistencën e saj u tregua e gatshme për ta pritur e mbrojtur jetën, duke fshirë çdo dallim feje, race, origjine, kulture, gjuhe apo shtrese shoqërore e duke ndjekur Ungjillin e Krishtit. Bëri ç’është e mundur për çdo jetë njerëzore, marrë një e nga një, që nga ajo e palindur akoma tek jeta e braktisur dhe e mënjanuar, jo vetëm duke thënë pa pushim se “kush nuk është lindur akoma është më i brishti, më i vogli, më i mjeri”, por edhe duke u përkulur personalisht mbi njerëzit e rraskapitur, të hedhur jashtë shoqërisë, lënë të vdesin në anë të rrugëve. U njihte atyre dinjitetin, që u kishte dhënë Zoti. Sepse jeta është, së pari, dhuratë. Po, por jo me fjalë: Nënë Tereza, me dëshminë e saj, e ngriti zërin para të pushtetshmëve të botës që t’i pranonin fajet e tyre për krimin e mjerimit, krijuar prej tyre për ta bërë të shëmtuar këtë dhuratë hyjnore, për ta shpërfytyruar. Për të, “refuzimi është sëmundja më e keqe, nëpër të cilën mund të kalojë njeriu”. Prandaj, i kushtoi vëmendje të veçantë izolimit shoqëror e nismat e saj i përfshinin të gjithë, pa dallime.

Dëshmi apo ideologji?

Nënë Tereza nuk e pati kurrë tundimin për të izoluar e shndërruar ndonjë parim moral e për t’ia nënshtruar atij të gjitha të vërtetat e fesë: pra, nuk bëri ideologji. Dëshmoi një doktrinë të vetme: Vetjen e Krishtit e, vetëm Krishti bëhej i dukshëm, shërbehej e duhej në të afërmin, sidomos në plagët e të varfërve, nga të cilët shenjtja e madhe e merrte si dhuratë. Shenjtorja e të fundmëve të Kalkutës na mëson t’i përgjigjemi thirrjes së Jezusit në kryq. Në atë “Kam etje” (Gjn 19,28) të Krishtit mund të dëgjojmë britmën e të vuajturve, klithmën e heshtur të foshnjeve të pafajshme, të cilave u ndalohet drita e diellit, përgjërimin e zjarrtë të të varfërve dhe të dëshirtarëve për paqe.

Vetëm kështu, Nënë Tereza arriti ta mbante të ndezur flakën e vëllazërimit universal të Ungjillit, duke dhënë shembullin e marrëdhënieve ndërmjet atij që jep e atij që merr, në mirëkuptim e respekt, përmes ndarjes së mënyrës e të kushteve të jetesës. Kështu tregoi se ta mbrosh jetën do të thotë të duash Zotin, që është baraz me dashurinë për të afërmin. Këto dy dashuri Zoti i ka menduar të pandashme. Kjo e vërtetë e thjeshtë shkruhet edhe mbi varrin e Nënë Terezës, në frazën nga Ungjilli sipas Gjonit: “Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë ju”. E jo vetëm në lindje, por gjatë gjithë jetës së njeriut, siç bëri Nënë Tereza, pa rënë në kurthin e atyre, që thërrasin e bërtasin për të drejtat e foshnjës së palindur, por kur fëmija del në dritë e harrojnë dinjitetin e tij. Për këtë arsye, misioni i shenjtes shqiptare në periferitë e qyteteve e në të gjitha skutat e mjerimit njerëzor mbetet dëshmi që flet, “simbol e ikonë për kohët tona”, siç kujtoi Papa Françesku në meshën e shenjtërimit, më 4 shtatorin e vitit të kaluar.

24/08/2017 12:37