2017-08-23 17:29:00

Rusi: Presidenti Putin, kardinalit Parolin: dialog konstruktiv e i besueshëm


Presidenti Putin, duke nisur sot bisedën, në takimin me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, theksoi se e vlerëson lart dialogun konstruktiv e të besueshëm me Vatikanin. Takimi, që u zhvillua në Bocharov Ruchei, në Sochi, vijoi me kujtimet e Presidentit rus lidhur me vizitën e tij në Vatikan. Putin foli për pritjen e përzemërt, që i bëri Papa, duke theksuar se e kujton vazhdimisht bisedën me Françeskun. E vlerësojmë faktin se marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve të mia me Papën po realizohen – nënvizoi - për të shtuar më pas se Rusia e vlerëson dialogun e drejtpërdrejtë, që ka nisur ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Selisë së Shenjtë. Vlerat humanitare të përbashkëta janë në bazë të marrëdhënieve ndërmjet Federatës Ruse e Vatikanit, ashtu si dhe ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse, kujtoi. Nënkuptonte, kështu, bisedimin e djeshëm të kardinalit Parolin me Patrikun Kirill të Moskës e të gjithë Rusive, gjatë të cilit Prelati i lartë vatikanas bëri thirrje për shpejtimin e hapit drejt bashkimit të dy Kishave motra.

Putin e falënderoi posaçërisht Papën për mbartjen e  relikeve të Shën Kollit nga Bari, në Moskë e Pjetërburg, ku u nderuan nga më se 2.3 milion  besimtarë.

E pikërisht reliket e Shën Kollit i kujtoi kardinali Parolin në krye të bisedimet me Putinin, duke e quajtur çast të madh në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse ruse, njëherësh me takimin e Papës me Patrikun e Moskës në Havanë. Tani Shën Kolli është kthyer “në shtëpi”, por mrekullia e relikeve i nxiti ata, që e ndoqën nga afër vizitën e kardinalit Parolin në Moskë, të hamendësojnë se Bari mund të ishte një vend shumë i përshtatshëm për një takim të ri, si ai i Havanës. E për një mrekulli të re të Shën Kollit!

“Kam nderin t’ju përcjell përshëndetjet e Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku - iu përgjigj Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin - presidentit Putin, gjatë këtij takimi, në ditën e fundit të vizitës së tij në Rusi. Ju falënderoj për ftesën, që më bëtë ju dhe autoritetet e këtij vendi si dhe për mikpritjen  e takimin e sotëm.

Të dyja palët shprehën kënaqësinë e njëkohësisht edhe dëshirën, për vijimin e dialogut. 








All the contents on this site are copyrighted ©.