Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa: shpresa e krishterë fiton mbi tragjeditë e botës

Papa në audiencën e përgjithshme

23/08/2017 14:02

Të krishterët nuk duhet të jenë idhnueshëm, me fytyra që u ngjasin piperkave turshi. Të krishterët duhet të jenë njerëz të pranverës, kultivues të palodhur ëndrrash. Kjo, porosia e Papës Françesku, drejtuar sot paradite besimtarëve mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme. Papa vijoi, kështu, ciklin e reflektimeve kushtuar shpresës së krishterë. Katekizmin e sotëm e përqendroi mbi fjalët e Zbulesës: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet”.

Shpresa e krishterë bazohet mbi besimin e patundur në Zotin, që krijon gjithnjë risi. Që e përtrin paprerë njeriun e botën. Zoti ynë - kujtoi Papa - është Zot i të papriturave. E, prandaj, “nuk është punë e krishterë të ecësh gjithnjë me kokë ulur, si bëjnë derrat”: gjithnjë shkojnë kështu - pa i lartuar kurrë sytë drejt horizonteve, si të shuhej gjithë udha jonë këtu, poshtë, pas një pëllëmbe vend; si të mos kishim në jetë kurrfarë caku, as kurrfarë porti e të ishim të detyruar të sillemi e të përsillemi pa cak në amshim.

Po cakun e kemi! Na e tregon Libri i Zbulesës. Libër në të cilin shikojmë horizontin e mbramë të besimtarit “Jeruzalemin qiellor”, të përfytyruar si “çadër e pafund e pa anë, ku Zoti i mikpret njerëzit, për të jetuar përgjithmonë së bashku me ta”. Ai do ta terë çdo lot nga sytë e tyre - na kujton fragmenti i lexuar në krye të katekizmit. E Françesku u kërkoi besimtarëve ta meditojnë këtë Fjalë jo në mënyrë abstrakte, por pasi t’i kenë lexuar një herë mirë e mirë kronikat e këtyre ditëve. Gazetat e televizionet nuk pushojnë së dhëni lajme të trishta, të paraqesin fëmijë të tmerruar nga lufta, të flasin për lot të hidhur, e të patharë, nënash. E përsëriten kaq shpesh lajme të tilla, sa ka rrezik të mësohemi me to. Mjafton të mendojmë Kongon a Barcelonën, për të kujtuar këtu vetëm dy raste, ndërmjet sa sa të tjerash. E gjithë kjo të shtyn të mendosh se kështu po qenka kjo jetë! Duke harruar, nganjëherë, se e kemi një Atë, që qan me lot të hidhur mbi bijtë e vet; një Atë, që na pret, për të na ngushëlluar e që ka përgatitur për ne një ardhmëri krejt të ndryshme. E ky është vizioni i madh i shpresës së krishterë - shpjegoi Ati i Shenjtë në katekizëm. - Zoti na krijoi, sepse dëshiron të na shikojë të lumtur! Zoti punon, për të na shpërblyer. E, prej këndej, urrejtja e vdekja nuk janë fjalët e fundit të jetës së njeriut. Prandaj të jesh i krishterë, do të thotë të të vezullojë shpresa në dritë të syrit!

Disa mendojnë se jeta s’është tjetër, veçse një kalbje e ngadaltë, se gëzimet janë të çastit, kalojnë tepër shpejt e se e përditshmja jonë e mundimshme nuk ka pikën e kuptimit! Jo kështu, për të krishterët, që besojnë se në horizont është një Diell, që nuk njeh perëndim e se ditët më të mira nuk kanë ardhur akoma. Na presin. E do të vinë! Kështu u shpreh Papa, duke pyetur, në zemër të vet nëse jemi njerëz të pranverës, apo të vjeshtës. “A jam njeri pranvere e vjeshte? Pranvere? Njeri i cili pret shpërthimin e një luleje nën dëborë, pret frytin që skuqet në degë, pret lindjen e diellit, që është Jezusi? Apo është vjeshtuk, me kokë gjithnjë të këputur, gjithnjë idhshëm e, siç kam thënë nganjëherë, me fytyrë që u ngjet specave turshi!

Në jetë ka probleme, luftëra, sëmundje, por – pohoi Françesku - në fund të fundit e keqja do të zhduket e Jezusi, që na ngushëllon që tani, do të na presë për të na marrë për dore e për të na shoqëruar tek çadra vigane e  Zotit me njerëzit. Në atë çast do të jetë gjë e bukur, kur të zbulosh se asgjë nuk ka humbur, asnjë gaz e asnjë lot nuk ka qenë i kotë! Madje, atje nuk do të ketë më lot: lotët do të teren, në çastin  kur Zoti ta shqiptojë fjalën e  Tij të fundit të bekimit: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet”. Edhe atë ditë, ndoshta, mund të qajmë - përfundoi Papa - por me lot gëzimi!

23/08/2017 14:02