Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Karitasi i Venezuelës: popullsia pa ushqime e ilaçe

Ushqime me triska në Venezuelë: një pako në muaj - AFP

23/08/2017 11:27

Rëndohet kriza humanitare në Venezuelë, ku shtohet varfëria, mungojnë ushqimet dhe ilaçet, ndërsa vështirësohet gjendja politike, pas rrëzimit të Parlamentit e zëvendësimit të tij me Asamblenë Kushtetuese të presidentit Maduro. Sipas statistikave të Karitasit të Venezuelës, 54% e fëmijëve ushqehet keq e, ndër ata me moshë nën 5 vjeç kequshqimi akut arrin në 3%. Rastet e diabetit janë rritur me 95%, ato të tensionit të lartë, me 92%. Është trefishuar treguesi i vdekshmërisë foshnjore e 114 mijë vetë të sëmurë nga Sida nuk kanë ilaçet e nevojshme. Nëpër farmaci mund të gjenden vetëm 38% e ilaçeve bazë.

Shumica e njerëzve nuk ka ushqim të përshtatshëm

         Të njëjtin denoncim bëri, në fund të korrikut, edhe drejtoresha humanitare e Caritas Internationalis, Suzanna Tkalec, e cila nënvizoi se shumica e njerëzve nuk ka ushqim të përshtatshëm. Ka ushqime në dyqan, por çmimet e tyre janë tepër të larta. “Është bërë e zakonshme të shohësh nëpër rrugët e Karakasit, njerëz, që rrëmojnë në plehra, për të gjetur një kafshatë bukë”.

Në rritje, inflacioni dhe mungesa e ilaçeve

         Venezuela, kujtonte Tkalec para një muaji, prodhon vetëm 30% të ushqimeve të nevojshme për popullsinë e inflacioni rritet me shpejtësi. Gjithashtu, mungesa e ilaçeve i ka shtuar sëmundjet kronike, malarien e difterinë, sepse nuk ka vaksina. Karitasi i Venezuelës ka filluar një program për furnizimin me ushqim, ujë e kura mjekësore, së paku për fëmijët nën 5 vjeç, por duhen fonde.

Me mijëra, në ikje drejt Kolumbisë

         Organizmi bamirës i Kishës Katolike, që u jep të hanë të varfërve në gjithë vendin, denoncon se mijëra njerëz po ikin nga dhuna e persekutimi për t’u strehuar në Kolumbi. Më se 60 mijë vetë kalojnë çdo ditë kufirin, me rrezikun për t’u shfrytëzuar nga keqbërësit. Sipas OKB-së, së paku 50 mijë venezuelanë kanë kërkuar strehim politik. Në Brazil ka një diasporë prej 20-30 mijë vetësh; në Trinidad e Tobago, 40 mijë; në Kolumbi, 300 mijë. Diasporë pa precedent në historinë e Venezuelës.

23/08/2017 11:27