2017-08-23 12:39:00

Françesku: t’ia besojmë veten Marisë, çdo ditë, me Rruzaren


Pas katekizmit, Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm në audiencën e përgjithshme, duke ia besuar të gjithë “Marisë, Mbretëreshë e Qiellit” e duke i ftuar ta thonë vazhdimisht Rruzaren.

Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve të gjuhës gjermane, Françesku kujtoi se këto ditë “kundrojmë Marinë Mbretëreshë e qiellit”, së cilës Kisha ia kremtoi dje kujtimin liturgjik. Krishti - vijoi - e bëri Nënën e vet  pjesëtare të fitores së Tij mbi vdekjen. T’ia besojmë gjithë vetveten Nënës qiellore që, ashtu si Ajo, në fund të shtegtimit tonë tokësor, të mund të arrijmë në cakun e jetës sonë, sipas planit të Zotit.

E, një përshëndetje tjetër të përzemërt Papa ua drejtoi edhe shtegtarëve polakë:

“Pas pak ditësh, të shtunën e të dielën e ardhshme, shumë nga ju, personalisht a shpirtërisht, do të mblidhen në atë, që njihet si 'Kana polake', Shenjtërorja juaj kombëtare e Jasna Góra, për të kremtuar Solemnitetin e Zojës së Çestokovës dhe treqindvjetorin e kurorëzimit të shtatores së Saj mrekullibërëse. Duke u paraqitur para fytyrës së Nënës e Mbretëreshës suaj, kujtojeni porosinë e saj: 'Bëni gjithçka t’ju thotë Jezusi!'(krh Gjn 2,5). Qoftë Ajo, modeli juaj për të formuar ndërgjegjen, për të vënë në rregull jetën personale e familjare, për të ndërtuar ardhmërinë e shoqërisë e të Kombit”.

Papa përshëndeti edhe shtegtarët italianë e, kryesisht, rregulltaret e instituteve të ndryshme, në përfundim të kapitujve të përgjithshëm. Një përshëndetje të posaçme u drejtoi seminaristëve të shumtë, të pranishëm: “Të dashur të rinj, që përgatiteni për meshtari, stërvituni që tani për ta jetuar Ungjillin me shpirt të zjarrtë misionar e duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të varfërve e nevojtarëve.  E, mos harroni ta thoni çdo ditë Rruzaren. U uroj gjithë të pranishëmve që gjunjëzimi para varreve të Apostujve të  jetë rast i përshtatshëm për përtëritjen shpirtërore”.

Në përfundim - përshëndetjet drejtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve:

“Të shumëdashur - i ftoi Papa të rinjtë - t’i lartojmë sytë drejt qiellit  për të soditur shkëlqimin e Nënës së Shenjtë të Zotit, të cilën javën e kaluar e kundruam në Solemnitetin të Ngjiturit të Saj në qiell e dje iu lutëm si Mbretëreshës sonë. Kultivojeni devocionin e sinqertë për Të, që ta kemi gjithnjë pranë në jetën tonë të përditshme.

Nuk është hera e parë që Papa i fton besimtarët të thonë vazhdimsht Rruzaren; lutje e thjeshtë – pohoi edhe sot – e lutja e zemrës sime.








All the contents on this site are copyrighted ©.