Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Në Estoni, kremtimet e Ditës Evropiane të përkujtimit të viktimave të komunizmit e të nazizmit

Sheshi i Lirisë në Talin të Estonisë - RV

23/08/2017 12:32

Dy diktatura të tmerrshme, që kanë bërë të vuajnë miliona njerëz në botë, u dënuan edhe një herë sot, në Talin të Estonisë, me rastin e Ditës Evropiane të përkujtimit të viktimave të komunizmit e të nazizmit. Ministrat evropianë të drejtësisë, përfaqësues të shoqatave të viktimave të totalitarizmit, përfaqësues institucionesh dhe organizatash shtetërore e private, që studiojnë krimet e regjimeve diktatoriale kujtuan sot ata, që ranë në kthetrat e komunizmit e të nazizmit, pa mundur të shpëtojnë prej tyre, duke dhënë një dëshmi të ndritshme të qëndresës së njeriut, që nuk mund e nuk dëshiron të kthehet në bishë vrastare për të afërmin e vet.

         Estonia është presidente e turnit e Bashkimit Evropian e jo më larg se dje, iu desh të hidhte poshtë kritikat e grupit të së majtës ekstreme në Parlamentin Evropian, që e akuzonte vendin balltik, dalë nga pushtimi sovjetik, se barazon socializmin real me nacionalsocializmin. Grupi GUE-NGL (E majta e Bashkuar Evropiane - E majta e Gjelbër Veriore) kërkoi madje të anullohej veprimtaria e sotme me titull “Trashëgimia e krimeve të kryera nga regjimet komuniste, në Evropën e shekullit XXI”, sepse përqendrohet vetëm mbi komunizmin dhe e lë mënjanë nazizmin, diktaturë më e rrezikshme, sipas grupit. Anëtarët e tij u kërkuan qeverive evropiane të bojkotojnë Takimin, siç bëri qeveria greke. Duke harruar se për nazizmin dënimet kanë qenë të shumta e janë ngritur në ligj në shumë nga vendet evropiane, por përsa u përket krimeve të komunizmit, akoma flitet për hapje dosjesh e diskutohet për pasojat, që presin të kalojnë shoshën e historisë.

         Dita e sotme në Talin u hap me një mbledhje të ministrave evropianë të drejtësisë, ku u diskutua edhe për “krijimin e një organizmi transkombëtar që të hetojë mbi krimet e regjimeve komuniste dhe mbi ato të personave të mbijetuar, që kanë kryer krime, të cilat ndiqen penalisht pa afat”. Kujtojmë se kjo rrugë u nis po në Talin të Estonisë me Ditën Evropiane të vitit 2015, por edhe më parë, me Platformën për kujtimin dhe ndërgjegjësimin, themeluar në vitin 2011 nga Parlamenti Evropian.

         Në mesditë, u vendos një kurorë në monumentin e fitores së luftës për pavarësi, në sheshin e Lirisë e, pati edhe një çast lutjeje, kryesuar nga kryeipeshkvi i Kishës Ungjillore Luterane estone, imzot Urmas Viilma. Pasdite, konferenca mbi “trashëgiminë e krimeve të regjimit komunist në Evropën e shekullit XXI”, në të cilën morën pjesë anëtarë të Parlamentit Evropian, pedagogë e studiues nga vende të ndryshme. Së fundi, përurimi i ekspozitës “Epoka e komunizmit” në Muzeun detar eston të Talinit.

23/08/2017 12:32