2017-08-22 13:46:00

Përfundoi nisma “Go4peace” në Shkodër


Më 19 gusht, pra, të shtunën e kaluar, në Shkodër përfundoi nisma “Go4peace” (Shko për paqen), që mblodhi në qytetin verior shqiptar të rinj nga e gjithë bota. Pasi ndenjën së bashku për 10 ditë, të rinjtë festuan njohjen e tyre me një koncert para katedrales së Shën Shtjefnit, ku morën pjesë si të ftuar edhe autoritetet fetare e civile. Lumnimi i 38 martirëve të parë të kohës së komunizmit dhe shenjtërimi i Nënë Terezës ishin ngjarjet, që i shtynë organizatorët ta mbajnë në Shkodër takimin. Natyrisht, të rinjtë e ardhur nga vende të largëta kishin ç’të mësonin nga Kisha shqiptare dhe nga aftësia e shqiptarëve për të bashkëjetuar e bashkëpunuar, pavarësisht nga feja.

Siç njoftohet nga katedralja e Shën Shtjefnit, gjatë këtyre ditëve janë organizuar shumë veprimtari për të rinjtë në formën e kampit veror, duke nisur nga kujdesi për të vegjlit e deri tek piktura, vallëzimi, muzika, sportet, parashtrimi i ideve të reja dhe dialogu ndërfetar. “Në thelb, njerëzimi është një i vetëm” nënvizohet në notën e ekipit të katedrales.

Go4Peace është projekt i nisur rreth 20 vjet më parë, nga një grup meshtarësh gjermanë nga famullitë kryesore të zonës së Dortmundit. Shkas për këtë është bërë lufta në Ballkan në vitet 1992-1995. Nisma është mbajtur për herë të parë në vitin 1996, në Bosnjë-Hercegovinë, duke mbledhur të rinj nga e gjithë Evropa për të jetuar 10 ditë së bashku. Ideja ishte dhe është që, duke u njohur e duke shkëmbyer përvojën e jetës së tyre, të rinjtë ta kuptojnë se si mund të vendosin paqen e të arrijnë pajtimin në shoqëritë e pasluftës. Kampi u organizua në Bosnjë-Hercegovinë deri në vitin 2014, kur u përkujtua 100-vjetori i fillimit të Luftës I Botërore. Në vitin 2015 u zhvendos në Kamen të Gjermanisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.