2017-08-21 19:18:00

Vritet atentatori terrorist i Barcelonës, Younes Abouyaaqoub


Atentatori i Barcelonës, Younes Abouyaaqoub, u vra nga policia e Katalonjës në Subirats, rreth 50 km larg qytetit. Shoferi i furgonit, që shkaktoi 15 të vdekur në Las Ramblas, mbante një rrip të rremë eksplozivi. Lajmi konfirmohet nga Ministri i Brendshëm katalan.

         Bilanci zyrtar i atentateve të xhihadistëve në Barcelonë dhe Cambrils, javën e kaluar, është 15 viktima e më se 100 të plagosur. Të vdekurit janë shtatë gra e tetë burra. Gjashtë prej viktimave janë spanjolle, tre italiane, dy portugeze, një belge, një amerikane, një kanadeze dhe një me kombësi të dyfishtë australiane dhe britanike, vogëlushi Julian Cadman.

         Sot paradite, mediat spanjolle publikuan fotografitë e para të terroristit maroken Younes Abouyaaqoub, që largohej pas masakrës në Las Ramblas. Të rëndësishme, deklaratat e njërit prej anëtarëve të celulës terroriste, që goditi Barcelonën, i cili ka vendosur t’i tregojë gjithçka policisë. Nga pohimet e tij del roli dhe udhëheqja e grupit nga imami Abdel Baki Essati. Nesër, Chemlal – kështu quhet personi – do të dalë si dëshmitar para gjykatësve hetues të antiterrorizmit, së bashku me të arrestuarit e tjerë.








All the contents on this site are copyrighted ©.