Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: të priten emigrantët e refugjatët, jo përjashtime kolektive

Papa Françesku përshëndet emigrantët në audiencën e përgjithshme - ANSA

21/08/2017 14:32

“Të priten, të mbrohen, të promovohen dhe të integrohen emigrantët dhe refugjatët”. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që kremtohet më 21 janarin e ardhshëm. Për Atin e Shenjtë, gjendja e trishtuar e njerëzve, që ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të luftës, është, fatkeqësisht, shenjë e kohrave. Kujton udhëtimin e tij në Lampeduzë, në fillim të papnisë dhe themelimin e një Seksioni të veçantë kushtuar emigrantëve, drejtuar nga ai vetë. Papa flet për përgjegjësinë e madhe të Kishës, duke reflektuar mbi katër fjalë, bazuar mbi Doktrinën Shoqërore të saj.

         Së pari, “mikpritja”. Ati i Shenjtë nënvizon se është urgjente “t’u ofrohen emigrantëve dhe refugjatëve mundësi më të mëdha për hyrjen e sigurtë e të ligjshme në vendet” ku emigrojnë. Françesku kërkon thjeshtimin e dhënies së “vizave humanitare” e favorizimin e bashkimeve familjare. Gjithashtu, kritikon kthimet kolektive të emigrantëve dhe refugjatëve, sidomos drejt vendeve ku nuk respektohen të drejtat e njeriut. Parimi i vendosjes së njeriut në qendër të çdo veprimtarie, sipas Papës, na nxit të gjejmë zgjidhje të tjera e jo “t’i burgosim” emigrantët.

         Fjala e dytë, mbi të cilën reflekton Ati i Shenjtë, është “mbrojtja”, e cila duhet të fillojë në atdhe e të vijojë në vendin e emigracionit. Të vlerësohen aftësitë dhe kompetencat e emigrantëve, nënvizon Papa, të cilët duhet të lëvizin lirisht e të kenë mundësi për të punuar. Françesku vë theksin në mbrojtjen e të miturve, që duhet të studiojnë e të jetojnë me familjet e tyre. E shprehet hapur për “ius soli”, pra për të drejtën e fëmijëve të sapolindur për të marrë nënshtetësinë e vendit, ku jetojnë prindërit – e drejtë, që nuk është kthyer në ligj në një sërë vendesh të botës.

         Në udhën e integrimit, Papa vendos, së treti, fjalën “promovim”. Të gjithë emigrantët duhet të kenë kushtet e nevojshme për t’u realizuar si njerëz. Ati i Shenjtë inkurajon integrimin shoqëror të emigrantëve dhe lavdëron përpjekjet e shumë vendeve për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Uron që në shpërndarjen e ndihmave të merren parasysh edhe kërkesat e vendeve në zhvillim, që strehojnë një numër të madh refugjatësh.

         E fjala e fundit, mbi të cilën vë theksin Papa Françesku, është “integrimi”. Për Atin e Shenjtë, ai nuk është asimilim e humbje e identitetit kulturor. Është proces i gjatë, vëren, por mund të përshpejtohet duke e dhënë nënshtetësinë pa e lidhur me kërkesa ekonomike apo gjuhësore. Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet kultura e takimit e siguron se Kisha është gati të impenjohet në këtë fushë. Por, për arritjen e rezultateve të qëndrueshme, është i domosdoshëm kontributi i bashkësisë politike dhe i shoqërisë civile. Papa bën thirrje për konkretizimin e pakteve globale, miratuar kohët e fundit në OKB (Global Compacts), njëri prej të cilëve u kushtohet refugjatëve e, një tjetër, emigrantëve. Muajt e ardhshëm, përfundon Mesazhi, janë mundësi e privilegjuar për të mbështetur me vepra konkrete katër pikat e tekstit: “mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin” e emigrantëve dhe të refugjatëve.

21/08/2017 14:32