2017-08-21 14:45:00

Papa Sinodit metodist e valdez: ecim drejt bashkimit të plotë


Me rastin e Sinodit vjetor të Kishave metodiste e valdeze - që u hap dje në Torre Pellice (Torino) - Papa Françesku dërgoi një Letër, në të cilën shpreh afërsinë e Kishës Katolike e të tijën personale.

Fytyra e Krishtit na bën ta ndjejmë veten bij të dashur të Atit e edhe t’i shikojmë në mënyrë të re të tjerët, botën, historinë. “I ruaj të gjalla në kujtesë takimet tona të fundit në Torino e në Romë, ashtu si edhe ato në Argjentinë”, shkruan Papa. Ju shpreh mirënjohjen për dëshmitë e bukura, që më dhatë e për shumë fytyra, që nuk mund t’i harroj. Ju uroj që këto ditë bashkëbisedimi e reflektimi, organizuar me rastin e 500-vjetorit të Reformës, të frymëzohen nga gëzimi që gufon në shpirt kur vihesh para fytyrës së Krishtit: sytë e Tij, që priren drejt nesh, janë burim i paqes sonë, sepse na bëjnë ta ndjejmë veten bij të dashur nga Ati e ta shikojmë në mënyrë të re tjetrin, botën, historinë:

“Shikimi i Krishtit - uron Papa Françesku - i ndriçoftë edhe marrëdhëniet tona, që të mos jenë vetëm formale e korrekte, por kryesisht, vëllazërore. Bariu i Mirë na do përudhë së bashku e shikimi i Tij na rrok tashmë të gjithëve, si dishepuj të tij, të cilët Ai dëshiron t’i shikojë plotësisht të bashkuar”.

E kjo, vijon Papa…

 “…është edhe më e rëndësishme sot, në një botë të pushtuar nga dhuna e frika, copëzimi e indiferenca, ku egoizmi i njeriut, që dëshiron të duket në dëm të të tjerëve, e nxin bukurinë e thjeshtë të mikpritjes e të dashurisë së anasjelltë. Por dëshmia jonë e krishterë nuk mund t’i nënshtrohet logjikës së botës: së bashku ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta zgjedhur e për ta jetuar logjikën e Krishtit!”.

Papa e mbyll Letrën e tij të përzemërt me një kërkesë: “Ju kërkoj të mos harroni të luteni për mua e për të gjithë ne, vëllezër e motra”.

Punimet e Sinodit

Sinodi vjetor i Kishave metodiste e valdeze do të përfundojë më 25 gusht. Në të marrin pjesë 180 delegatë - pastorë e laikë në numër të barabartë – që po i kushtojnë vemendje një mori temash: nga 500-vjetori i Reformës protestante - tek dialogu ekumenik; nga mikpritja e integrimi i emigrantëve - tek impenjimi në shoqëri në favor të të përjashtuarve; nga çështjet e ndjeshme të etikës, si fundi i jetës - tek sfidat e predikimit, në një botë  gjithnjë më të dhunshme e të mbyllur për larmitë; nga familja - tek financa, pa harruar marrëdhëniet ndërkombëtare të metodistëve dhe valdezëve në nivel global.








All the contents on this site are copyrighted ©.