2017-08-20 13:38:00

Françesku: Zoti e çliroftë botën nga dhuna çnjerëzore e terrorizmit


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku shprehu përsëri ngushëllimet për viktimat e shumta të atentateve terroristike të këtyre ditëve dhe iu lut Zotit ta çlirojë botën nga plaga e terrorizmit:

“Zemrat tona janë plot me dhimbje për aktet terroristike, që këto ditë shkaktuan viktima të shumta në Burkina Faso, në Spanjë e në Finlandë. I kujtojmë në uratë gjithë të vdekurit, të plagosurit e familjarët e tyre;  e i lutemi Zotit, Hyjit të mëshirës e të paqes, ta çlirojë botën nga kjo dhunë çnjerëzore”.

Para fjalëve, me të cilat e dënoi ashpër terrorizmin, Papa u ndalua tek Ungjilli i sotëm e, posaçërisht, tek feja guximtare e gruas kananease, që i kërkon me ngulm Jezusit t’ia shërojë të bijën e munduar nga djalli. Ftohtësia, në dukje, me të cilën e pret Jezusi - vërejti Françesku - nuk e  ligështon zemrën e nënës. Ajo vijon të përgjërohet tek këmbët e Zotit:

“Forca shpirtërore e kësaj gruaje, që kapërcen çdo pengesë, buron nga dashuria amtare e nga besimi i patundur se Jezusi do ta ndihmojë. Mund të themi se dashuria e vë në lëvizje fenë, e feja, nga ana e saj, bëhet çmimi, që meriton dashuria”.

Në fund, përballë gjithë kësaj këmbënguljeje, Jezusi e shikon plot admirim gruan pagane, gati-gati i mahnitur nga feja e saj. E kështu ia dëgjon lutjen e ia shëron në çast vajzën e pushtuar nga djalli:

“Këtë grua të përvuajtur Jezusi e paraqet si shembull i një feje të patundur. Lutja e saj këmbëngulëse drejtuar Krishtit, që të ndërhyjë, na nxit edhe ne të mos e humbasim kurrë guximin, të mos dëshpërohemi, kur shtypemi nën barrën e provave të jetës. Zoti nuk e kthen kurrë kokën mënjanë, përballë nevojave tona. E nëse nganjëherë duket sikur nuk ua vë veshin britmave tona për ndihmë, e bën këtë vetëm e vetëm për ta vënë në provë forcën e fesë sonë.

“Kjo - shtoi Papa duke folur lirisht, jashtë tekstit - më bën të mendoj për forcën e grave! Me këmbënguljen e pamposhtur janë të zojat të kryejnë punë të mëdha! Kemi njohur shumë prej tyre”.

Ky episod ungjillor - vijoi Françesku - na ndihmon të kuptojmë se të gjithë kemi nevojë të rritemi në fe e të fortifikohemi në besimin tonë në Jezusin:

“Ai mund të na ndihmojë të gjejmë udhën, kur e kemi humbur busullën në  ecjen tonë; kur rruga nuk duket më e sheshtë, por para nesh nis e përpjeta e theptë, kur na duket tejet e lodhshme t’i mbajmë me fund premtimet tona. Është e rëndësishme ta ushqejmë çdo ditë fenë, me dëgjimin e vëmendshëm të Fjalës së Zotit, me kremtimin e sakramenteve, me lutjen personale, që lartohet 'si britmë' drejt Tij, me sjellje konkrete dashurie të krishterë ndaj të afërmit".








All the contents on this site are copyrighted ©.