2017-08-19 14:10:00

Terrorizmi: gati për gjithçka, për ta marrë e për ta dhënë jetën! Udhët e radikalizmit, të pafundme.


Janë gati për gjithçka, për ta marrë jetën, në emër të ideologjisë së tyre, e edhe për ta dhënë: pjesa më e madhe e terroristëve vriten gjatë sulmeve. Të tjerët përfundojnë me vetëvrasje ose vriten nga forcat e rendit. Ndërkaq është krejt e pamundur të zbulosh udhën e përshkuar nga i riu drejt radikalizimit, sepse udhët, që përfundojnë në ekstremizëm xhihadist dhe në terrorizëm, janë jashtëzakonisht të ndryshme. E pikërisht këto udhë i analizon përsëri Ispi (Instituti për studimet politike ndërkombëtare), në një Raport mbi fenomenin e terrorizmit dhe të radikalizimit, botuar këto ditë, nën drejtimin e Lorenzo Vidino, Francesco Marone e Eva Entenmann.

Për t’u quajtur “sulm terrorist”, duhet të jetë akt i kryer me vendosmëri  e me një përligjje të qartë ideologjike. Shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ta përcaktosh rrugën e radikalizimit, sepse nuk është një e vetme. Janë shumë!  Ndërkaq është e qartë se duhet të marrë fund miti i terroristit të varfër, të paintegruar. Shumica e atentatorëve kanë lindur e janë rritur në vendet, ku kryejnë atentatet e, disa prej tyre, kanë kryer edhe shkolla të larta, gjithnjë sipas Ispit, i cili e përkufizon kështu atentatin terrorist:

“Atentat terrorist quhet një akt dhune, i kryer vendosmërisht kundër njerëzve, nga një a dy individë, me synim që të mbysin sa më shumë njerëz e t’i kallin datën opinionit publik". Tre, kriteret që karakterizojnë aktin terroristik: akti i dhunës duhet të jetë aktiv e i vendosur, i kryer kundër njerëzve ose objekteve; dhuna duhet të ketë një arsye ideologjike (në rastin tonë xhihadiste) e nuk duhet të lidhet me shkaqe thjeshtësisht personale.

Autorësia e këtij terrorizmi duhet rivendikuar, pra, duhet bërë e njohur Vetëm kur një grup xhihadist deklaron se atentatorët e një sulmi vepruan,  sepse të mbështetur ose të frymëzuar nga ky grup, sulmi mund të quhet terroristik e i rivendikuar. Rivendikimi mund të bëhet drejtpërdrejt nga atentatori, ose në vijim, përmes mediave, për shembull, përmes Amaq, agjenci shtypi, që jep informacione për veprimtaritë kryesore të shtetit islamik ose të revistave si Dabiq, botuar gjithnjë nga Shteti Islamik me qëllim propagande.

Data: Nëse në harkun e tre vjetëve (nga qershori 2014, deri në qershor 2017) u regjistruan 51 sulme terroriste, kulmi i atentateve arriti në korrik 2016, kur u organizuan dy atentate në Francë e dy në Gjermani. Këta u ndoqën nga dy të tjerët në Spanjë, kryer më 17 gusht në Barcelonë e në Cambrils.

Vendi: Vendi, që në këto kohë pësoi një numër më të madh atentatesh ishte Franca, me 17 aksione terroristike, pasuar nga SHBA-të (16), Gjermania (6), Mbretëria e Bashkuar (4), Belgjika (3). Prej 51 sulmeve terroristike kryer nga qershori 2014, vit kur u vetëshpall Shteti Islamik, deri në qershor 2017, 32 goditën Evropën (63%), 19, Amerikën veriore (19%).

Vendet në shënjestër të shumicës së sulmeve janë gjithnjë qendrat urbane. Qyteti, që pësoi më shumë atentate, është Parisi(7). Pasojnë Brukseli (3), Berlini (2), Londra (2). Katër, sipas raportit të Ispi, arsyet që i shtyjnë terroristët të zgjedhin qytetet; lehtësia për të hyrë në vendet e caktuara, pa u njohur; mundësia për të mbytur sa më shumë njerëz e  për të bërë sa më shumë dëme materiale dhe ekonomike e, së fundi, vlera e lartë simbolike ose politike që mund të fitojë akti i dhunës.

Atentatorët: Pavarësisht se radikalizimi kryhet posaçërisht në radhët e të miturve, mosha mesatare e atentatorëve është 27,3 vjeç e gati një treta e terroristëve të angazhuar në këtë fushë, është mbi 30 vjeç. E ndonëse kohët e fundit po shtohet gjithnjë më shumë edhe prania e grave në rrjetin xhihadist, në çdo 65 terroristë, vetëm dy janë gra. Gratë, më të shumtën, kanë rol ndihmës. Veprimtaria e tyre kryesore është ajo e rekrutimit, e prapavijës dhe mbështetja e terroristëve. Shumica e atentatorëve (43 ndër 65, 66%), vetëvriten gjatë sulmeve  ose vriten nga forcat e rendit.

Terrorizmi, emigrimi, mikro-kriminaliteti

Burgosja paraqitet si argument tejet delikat e i ndërlikuar, i përdorur gjithnjë më shpesh për polarizimin e debatit politik. Nga Raporti del se praktikisht lidhja ndërmjet fenomenit të terrorizmit  e atij të emigracionit nuk ekziston: 73% e atentatorëve ishin qytetarë të shtetit, ku u kryen veprimtaritë terroristike. Vetëm 17% është kthyer në fenë islame, ndërsa arrin në 57 përqindja e atentatorëve me të kaluar kriminale e 34% me të kaluar në burgje. Raporti nënvizon, kështu, edhe lidhjen e ngushtë ndërmjet terrorizmit, burgimit e mikrokriminalitetit (krime lidhur me tregtimin e drogës, me mbajtjen e armëve, me përdorimin e  dhunës fizike, me grabitjet  e vrasjet). Domethënës, në këtë  këndvështrim, edhe fakti se 82% e atentatorëve njiheshin nga forcat e rendit, para se të kryenin atentatet.

Rrjetet e radikalizimit: të shumta, kërkimet për përcaktimin e rrugëve që ndjekin të rinjtë drejt radikalizimit. Analistët e studiuesit e fenomenit terroristik po përpiqen të kuptojnë në ç’mënyrë i riu vendos t’i kushtohet ideologjisë  xhihadiste e, në disa raste, të vrasë e të vritet në emër të kësaj feje. Shumë analistë e studiues të disiplinave të ndryshme, sociologë, kriminologë, psikologë, po merren me këtë argument. Të shumta edhe teoritë: kalohet nga problemet e diskriminimit e të integrimit, tek mungesa e punës edukative e shkollore e tek ambientet e varfra e të degraduara. E jo të paktë, specialistët, që pohojnë se procesi i radikalizimit është i ndërlikuar dhe individual e, prej këndej, nuk është aspak e lehtë të përcaktohet. Shumë xhihadistë evropianë, për shembull,  vijnë nga mjedise ekonomikisht të suksesshme, që u kanë krijuar mundësitë të kryejnë shkolla të mesme e të larta. Prej këndej, rastet janë jashtëzakonisht heterogjene, gjë që dëshmon se nuk mund të futen në një kallëp socio-ekonomik, e se nuk mund të flitet për një profil psikologjik e as për një udhë të vetme, nëpër të cilën përshkohen njerëzit, që radikalizohen.   








All the contents on this site are copyrighted ©.