2017-08-19 17:18:00

Françesku: lutem për viktimat e atentateve, mjaft më terrorizëm!


“Lutem për të gjitha viktimat e atentateve të këtyre ditëve. Dhuna e verbër e terrorizmit nuk duhet të gjejë më hapësirë në botë”. Ky tweet botohet nga Papa Françesku sot në faqen e tij të internetit @Pontifex, në 9 gjuhë. Përmes tij Papa shpreh dhimbjen e thellë për viktimat e të gjitha atentateve që, për fat të keq, këto ditë goditën njerëz të pafajshëm, pa dallim, posaçërisht në Ouagadougou, në Burkina Faso, në Barcelonë e, së fundi, në Finlandë.

Në të gjitha rastet, që nga fillimi i Papnisë, Françesku e dënoi terrorizmin  dhe çmendurinë e dhunës së kryer në emër të Zotit. Edhe në vitin 2017, kur të katër anët e botës e provuan shijen e hidhur të atentateve terroriste, Françesku e ngriti lart zërin, duke i dënuar me forcë e haptazi, këto akte barbare e duke i kërkuar gjithnjë Zotit t’ua shndërrojë zemrën  atyre, që njollosin duar e shpirt me këto krime të shëmtuara. E këtë Papa nuk e bën vetëm në telegramet e ngushëllimit, pas atentateve. Në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti, Papa pohon me forcë se “asnjë fe nuk është terroriste” e se terrorizmi e dhunon emrin e Zotit.  Nuk lodhemi kurrë së kujtuari - qorton Françesku - se emri i Zotit nuk mund ta përligjë kurrë dhunën. Dhuna nuk mund të jetë kurrë e shenjtë! E shenjtë është vetëm paqja. Vetëm paqja është e shenjtë, jo lufta!

I fuqishëm, dënimi i terrorizmit në fjalën e Papës Françesku, mbajtur më 9 janar 2017, kur priti, për audiencën e fillimit të vitit, Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Papa pohoi se terrorizmi është çmenduri vrasëse, që e shpërdoron emrin e Zotit dhe mbjell kudo vdekjen, në përpjekjen për të vendosur sundimin dhe pushtetin e vet mbi botën! Prej këndej, thirrja drejtuar të gjitha autoriteteve fetare të bashkohen e të pohojnë njëzëri se “nuk mund të vritet kurrë në emër të Zotit!”. E, duke iu drejtuar përfaqësuesve diplomatikë të mbarë botës, shton: “Terrorizmi fundamentalist është fryt i një mjerimi të madh shpirtëror, i cili shpesh lidhet edhe me varfërinë e ndjeshme shoqërore. Mund të pësojë disfatë të plotë vetëm me kontributin e përbashkët të liderëve fetarë e atyre politikë.  Të parëve u takon të transmetojnë ato vlera fetare, që nuk mund ta pranojnë se frika e Zotit i kundërvihet dashurisë për të afërmin. Të dytëve u takon t’i krijojnë hapësirë publike së drejtës për lirinë fetare, duke pranuar kontributin pozitiv e konstruktiv, që ushtron në ndërtimin e shoqërisë civile”.

Në mënyrë të posaçme, po kujtojmë fjalët që tha Papa kundër terrorizmit, në takimin me autoritetet politike, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Egjipt, më 28 prillin e kaluar, në vizitën e solidaritetit,  që i bëri bashkësisë kopte, të sulmuar, vitet e fundit, nga një sërë atentatesh gjakatare. Egjipti - kujtoi Papa – “është i thirrur ta dënojë e ta mundë çdo dhunë e çdo terrorizëm. Për të ndërtuar paqen, duhet dhënë prova se Feja është për Zotin; Atdheu, për të gjithë! E duhet dëshmuar se mund të besosh e, njëkohësisht, të jetosh në harmoni me të gjithë, duke ndarë bashkë vlerat  themelore njerëzore  e duke respektuar lirinë dhe fenë e të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.