2017-08-18 13:31:00

Vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Federatën Ruse


Më 21 deri më 24 gusht 2017, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, do të shkojë për vizitë në Federatën Ruse, me ftesën e autoriteteve të vendit. Do të shoqërohet nga imzot Visavaldas Kulbokas, Këshilltar nunciature, zyrtar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Qëllimi i vizitës është takimi me autoritetet më të larta civile dhe me kryesinë e Kishës Ortodokse Ruse. Do të jetë rast edhe për t’i shprehur afërsinë shpirtërore të Papës, bashkësisë katolike të vendit.

Gjatë bisedimeve të ndryshme, përveç tematikave me interes dypalësh, figurojnë edhe ato, që kanë të bëjnë me situatën ndërkombëtare e, në mënyrë të posaçme, me kërkimin e rrugëzgjidhjeve paqësore të konflikteve  në vijim, me vëmendje të përqendruar tek aspektet me karakter humanitar.

Sipas programit, të hënën, më 21 gusht, Kardinali Parolin do të marrë pjesë në një takim me ipeshkvijtë katolikë të vendit e, në mbrëmje, do të bashkëkremtojë me ta Meshën, në Katedralen e Zojës së Papërlyer, në Moskë, pasuar nga  darka miqësore me përfaqësuesit e klerit e të laikatit. Në të njëjtën ditë parashikohet biseda me Metropolitin Hilarion të Volokolamsk, kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Patriarkanës së Moskës.

E marta, 22 gusht, do t’i kushtohet një sesioni pune me Ministrin e Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov e, pasdite, vizitës tek Patriku Kirill i Moskës.

Të mërkurën, 23 gusht, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të shkojë në Sochi, ku do të takohet me Presidentin Vladimir Putin.

Nuk do të diskutohet tema e një shtegtimi të mundshëm të Papës Françesku në Rusi, gjatë kësaj vizite. Vetë kardinali Parolin nënvizoi se kjo temë nuk do të preket - shpjegon sekretari i përgjithshëm i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Rusisë, Igor Kovalevsky, duke folur për agjencinë Interfax - dhe shton: “Unë personalisht nuk do ta mbështesja këtë vizitë, sepse shoqëria jonë nuk është ende gati për ta pritur Papën. Pse t’i përshpejtojmë ngjarjet?”. Sidoqoftë - gjithnjë sipas Sekretarit të Ipeshkvijve - takimi, një vit më parë  i Françeskut me Kirillin në Kubë - shënoi një kthesë të stërmadhe në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve.

Ky, programi i vizitës në Rusi nga ana e kardinalit Parolin që, paraditen e 24 gushtit, pritet të rikthehet në Romë








All the contents on this site are copyrighted ©.