2017-08-18 11:56:00

Më 18 gusht kalendari kujton Shën Florin e Laurin, martirë nga Ulpiana e Dardanisë


Duke shfletuar kalendarin kishtar e kombëtar, sot më 18 gusht, kujtojmë festën e martirëve Shën Florit e Laurit, vëllezër binjakë nga Ulpiana e krahinës së Dardanisë, në afërsi të Prishtinës.

Dy vëllezërit, Flori e Lauri, ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit (117-138). Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator.

Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin pandërprerje Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë.

Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli.

Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, të kohës shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore .

Kulti në nderim të tyre u përhapë shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë. Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri. Flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti.

Prandaj, shembulli i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta, njerëzore e shpirtërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.