2017-08-18 11:28:00

Martirët e Ulpianës Shën Flori e Shën Lauri dhe tradita e krishterimit ndër shqiptarë


Më 18 gusht, Kisha katolike përkujtoi dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme. Tradita mbi dy mijëvjeçare e krishterimit ndër shqiptarë, nuk mund te mos i falte banoreve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorët vendas, ose ungjillëzues të trevave ku sot banojnë shqiptarët. Dy prej tyre i kremtoi sot Kisha universale: janë Shën Flori e Shën Lauri.

Për t’i njohur më mirë figurat e tyre po përshkojmë shkurtimisht disa dëshmi e të dhëna prej burimeve kishtare që dëshmojnë se, Dyrrah-u –Durrësi, pati qysh në vitin 56 një ipeshkëv të shuguruar.

Në kohën kur Shën Pali Apostull, sipas traditës, shkelte në Durrës, atje nisi shërbimin një ipeshkëv me emrin Cesar, i cili qe një nga martirët e parë të fesë së Krishtit, pra një nga shenjtorët më të hershem të krishterimit.

I dyti ndër shenjtorët e botës iliro-shqiptare është shën Ashti (apo shën Asti), gjithashtu ipeshkëv i Durrësit, martirizuar në vitin 117 p. K..

Shën Jeronimi (Hieronymus), një nga katër dijetarët e mëdhenj të Kishës, që në shekullin e 4-të përktheu Biblën në gjuhën latine “Vulgatë”, i dha Kishës romake, pra perëndimit të tekstin e parë të Shkrimit të Shenjtë në latinisht, ishte nga Stridoni i Dalmacisë, vend i banuar nga iliret, gjë që e pohon vetë Jeronimi në shkrimet e tij.

Pak a shumë në të njëjtën kohë, shën Niketa, i njohur edhe si “ shën Niketa i Dardanisë  “apo “ shën Niketa i Remessiana-s”, kompozoi himin e mirënjohur “ Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot të lavdërojmë”.  Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A.E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” “Jam dardan”. Shenjtorë e martirë të tjerë pasuruan traditën e krishterimit ndër shqiptarë duke ardhur prej visesh ku nuk patën mundësi, për shkak të persekutimeve të jashtëzakonshme, të përhapnin Lajmin e  Mirë, Ungjillin e Krishtit.

Flori e Lauri, ose Floriani e Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, erdhën nga vise të largëta në shekullin e 2-të në Dardani, e pikërisht në Ulpiana, afër Prishtinës, ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendas të kohës, ngritën një Kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të, dhe kur persekutimi ndaj krishterimit u shtri edhe në trevat ilire, ata u martirizuan në Dardani - Kosovën e sotme, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për dëshmi të Lajmit të Mirë, Ungjillit të Krishtit.

Në fillimin e shekullit të pestë, sipas dëshmive të jezuitit Atë Zef Valentinit ( 1929), shën Gjon Gojarti kaloi dy vite të vështira në brendësi të Ballkanit, saktësisht në tokën ilire. Një dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko- shqiptari Nikolaos Mystakidis bën të ditur se Kishës së Laboves perandori Justinian i dhuroi një copë nga druri i shenjtë të Kryqit mbi të cilin qe kryqëzuar Krishti dhe një dorëshkrim të artë të shën Gjon Gojaritit.

Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri të Shqipërisë shën Sergji e Baku; në jug shën Gjon Vladimiri, deri tek shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptar e jo vetëm nuk ishte e huaj dhe e largët për misionaret e shenjtë, por, madje, u krijonte atyre mjedise zhvillimi a lartësimi për misionin e ungjillëzimit e për përhapjen e kulturës. Kjo nuk lidhet vetëm me bashkësitë e krishtera si të tilla, por me bashkësinë shqiptare në tërësi.

Për ilustrim po lexojmë të plotë letrën e Ali pashë Tepelenës drejtuar të bindurve të tij, me porosinë për ringritjen dhe ruajtjen e manastirit të shën Kozmait: “Juve rum te nahijes se Beratit, myzeqare dhe vlleh grabovare, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop qe te me ndreqe manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e te ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qellim qe te ndreqet ky manastir. Për ata qe nuk do te japin ndihmën e tyre, do te me mbetet hateri dhe pastaj do të paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu te bëni pas këtij vendimi”. (Ne Gjirokaster, me 12 shtator 1813” (“Kodiket e Shqipërisë “, bot i DPA § Unesco-s, Tirane 2003, f.48)

Dijetari austriak, Todor Ippen, shkruan se në malet e Shqipërisë së Veriut dikur shiheshin portrete shenjtorësh të kohës së paleokrishterimit. Kjo nuk është provuar dhe as mohuar nga ndonjë studiues i mëvonshëm. Por në një përmendore tjetër të kulturës tradicionale, në të drejtën etnozakonore shqiptare, thuhet rreptë se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit”, shprehje kjo e mirënjohur për të gjitha, por, për fat të keq pa shtojcën: “Kujdes, sepse nuk dihet kush troket: shenjti a përderësi”.

Në jetën e tyre të përditshme, Shën Flor e Lauri ditën ta mishëronin e ta dëshmonin idealin e drejtësisë e të lirisë, të solidaritetit e të mirëkuptimit, të besimit e të bindjes ndaj Zotit, të shërbimit e të vëllazërimit ndaj të afërmit. Që shembulli i këtyre dy martirëve të mos humbet, madje që jeta e dëshmia e tyre të ringjallen e të kthehen në kujtesën e besimtarëve të krishterë e të vëllezërve të tyre në gjak, në vitin 1989-1990 në fshatin Grazhdanik, afër Prizrenit, është ndërtuar një Kishë e vogël, kushtuar pikërisht këtyre dy martirëve të Ulpianës, Florit e Laurit. Kjo nismë e vepër u ideua e realizua nga prifti famullitar i Kishës Katedrale të Prizrenit, mons. Nikollë Mini. I përjetshëm qoftë kujtimi tij.

Me kremtimin e shën Florit e Laurit, edhe Kisha katolike shqiptare e posaçërisht ajo në Kosovë, e radhitë popullin shqiptar me ata popuj të mëdhenj që dhuruar shenjtorë e martirë, duke kontribuar jo vetëm në zhdukjen e idhujve, po edhe në cilësimin e vlerave të vërteta shpirtërore e njerëzore, shoqërore e kulturore, vlera të cilat në një mënyrë krejt të veçantë u mishëruan në jetën dhe veprën e martirëve dardanë. Prandaj, mund të themi se jeta dhe martirizimi i tyre, janë një thesar i çmueshëm shpirtëror, njerëzor e kombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.