Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’ - RV

18/08/2017 00:00

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës Shenjte të së dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Tema kryesore që trajtohet nga leximet biblike të kësaj së diele e në mënyrë të posaçme nga Ungjilli, është përkatësia e popullit të Zotit dhe pjesemarrja ne shelbimin hyjnor. Kriteri i përkatësisë së vërtetë në popullin e Zotit nuk është raca apo zbatimi i jashtëm i urdhërimeve a ligjeve Hyjnore, por feja e përvujtë dhe e patundur në Zotin, feja që shpien në sjellje të ndershme, të drejtë, të mirë e që bënë të jetosh në përkim me vullnetin e Zotit dhe në dritën e mësimeve të Tija Hyjnore. Pa kurrfarë diskriminimi, të gjithë popujt janë të thirrur, prej Zotit, të marrin pjesë në shpëtimin hyjnor e po kështu edhe vetë Izraeli do të shpëtohet nga meshira e Hyjit, sepse dhuratat e Zotit janë të pakufishme.

Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (15,21-28) na tregon se Jezusi shkon në krahinat e Tirit e të Sidonit: me ketë gjest Ai kapërcen kufijtë zyrtar të Izraelit, duke na dëftuar e treguar në mënyrë të qartë se në Zotin nuk ekzistojnë kufijtë, Hyji nuk bënë dallime, përjashtime, por afron, bashkon e kërkon vendosjen e paqes e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve.

Jezusi, në fragmentin ungjillor të kësaj së diele të 20-të gjatë vitit kishtar, na jep një mëshim të madh: dhuratat e Zotit janë për ata, që i kërkojnë me fe, me besim. Vetëm feja na bën të prekim me dorë bukën e bijve të Hyjit, pavarësisht nga raca, gjuha e kultura. Zoti, pra, na mëson Jezusi, nuk bën dallime e shëlbimi hyjnor nuk është privilegj i disave, po është për të gjithë njerëzit, përtej kufijve e përtej çdo dallimi.

Fragmenti nga Ungjilli sipas Mateut vë në dukje fenë e madhe të gruas kananease, e cila megjithëse nuk ishte hebreje, i përgjërohet Jezusit ta shpëtojë të bijën nga një demon. Fillimisht, Krishti nuk ia merr parasysh lutjen, por e bën këtë vetëm për të nxjerr në pah fenë e madhe që gruaja tregon se kishte në Birin e Hyjit. Përmes këtij takimi me gruan kananease, Jezusi na tregon se shëlbimi është universal, pra i përket e takon çdo njeriu mbi tokë, jo vetëm izraelitëve. Në Leximin I (Is 56,6-7) Isaia profet parashikon se me ardhjen e Mesisë, tempulli do të kthehej në “shtëpinë e lutjes për të gjithë popujt”. Në Leximin II (Rm 11,13-15.29-32) Pali apostull na kujton se mëshira dhe shëlbimi i Zotit janë të pakthyeshme.

Nga Ungjilli sipas Mateut

Feja e gruas kananease

(Mk 7, 24‑30)

21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:

“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”

24 Ai u përgjigj:

“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:

“Më ndihmo, o Zot!”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”

27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:

“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”

Në atë moment bija e saj u shërua.

18/08/2017 00:00