2017-08-18 11:48:00

Barcelonë: ipeshkvijtë spanjollë dënojnë atentatin dhe u shprehin solidaritetin viktimave


Afërsi e lutje për viktimat dhe familjet e tyre, mbështetje shoqërisë dhe forcave të policisë, dënim i plotë, atentatit. Këtë shprehin ipeshkvijtë spanjollë në një notë të sekretarisë së përgjithshme, përhapur mbrëmë, pas atentatit të rëndë terroristik, që goditi Barcelonën në orët e para të muzgut. Sipas burimeve zyrtare, u fol menjëherë për 13 të vdekur e 80 të plagosur, të shtypur nga furgoni, që përshkoi me turr qindra metra gjatë pedonales së Rambla de Canaletes, për t’u përplasur, në fund, pas një kioske të tregut Boqueria.

Përballë këtij fakti tragjik dhe të urryer - lexohet në notë - Konferenca ipeshkvnore spanjolle dëshiron, sidomos, të shprehë afërsinë e lutjen për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre. Dëshirojmë gjithashtu - vijon nota e ipeshkvijve - t’i shprehim mbështetjen tonë edhe mbarë shoqërisë, që sulmohet nga aksione të tilla, e, këtë herë, qytetarëve të Barcelonës dhe forcave të sigurimit.

Njëkohësisht - nënvizojnë - e dënojmë ashpër çdo shfaqje të terrorizmit, praktikë thellësisht e mbrapshtë e krejtësisht e papajtueshme me vizionin moral të drejtë e të arsyeshëm të jetës. Akte të kësaj natyre jo vetëm që e lëndojnë seriozisht të drejtën për jetë e liri, por janë edhe shprehje e intolerancës dhe e totalitarizmit më të egër.

“U kërkojmë të gjithë besimtarëve - përfundon nota - t’i lartojnë lutje Zotit, që t’u japë pushimin e pasosur e dritën e pambaruar të vdekurve, t’u kthejë shëndetin e humbur viktimave të tjera, t’u japë ngushëllim familjeve  dhe t’ua mbushë e njerëzve vullnetmirë zemrat me paqe e besim se veprime të tilla të neveritshme nuk do të përsëriten kurrë më!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.