2017-08-17 14:23:00

Tweet i Papës: jetojeni mëshirën. Imzot Zuppi: dashuria e Zotit dhuron gëzim


“Asgjë të mos ju pengojë të jetoni e të rriteni në miqësi me Atin Qiellor e t’ua dëshmoni të gjithëve mirësinë e mëshirën e Tij të pafundme”. Ky është tweet-i i sotëm i Papës Françesku, i cili, edhe gjatë verës, i kthehet temës së mëshirës, qendrore për jetën e të krishterit. Prej këndej nis intervista jonë me kryeipeshkvin e Bolonjës, imzot Matteo Zuppi, i cili flet edhe për vizitën e ardhshme të Atit të Shenjtë Bergoglio në qytetin verior italian, më 1 tetor:

Mëshira thërret mëshirë tjetër, e shumëfishon atë. Nganjëherë mendojmë se mëshira është si një taksë, që duhet paguar. Nuk është ashtu! Mëshira është dashuri që jepet, e dashuria tërheq dashuri, shumëfishon dashuri, hap interesa të reja, thellon ato ekzistueset. Më duket më se e rëndësishme pjesa e parë e tweet-it: miqësia me Zotin. Vërtet, asgjë nuk na pengon për këtë: as zhgënjimi, as skepticizmi, asgjë nuk na pengon ta jetojmë miqësinë me Zotin. Nëse e jetojmë atë, e kuptojmë se mëshira nuk është flijim, por e kundërta e tij: gëzim.

Edhe një muaj e gjysëm e Ati i Shenjtë do të shkojë në Bolonjë. A mund të na thoni si përjetohet kjo pritje?

Me gëzim të madh, me pritshmëri të madhe. Tema është përfundimi i Kongresit Eukaristik. Titulli, që zgjodhëm sivjet, është: “Ju vetë jepuni të hanë”, sepse Eukaristia është buka e pranisë së Zotit, por ajo bukë, që i përgjigjet pyetjeve të turmës. Kur i bëj të miat këto pyetje, e kuptoj se mund të jap, edhe pak, madje, shumë pak – pesë bukë e dy peshq – sepse turma ka nevojë edhe për to.








All the contents on this site are copyrighted ©.