2017-08-17 14:55:00

Raport i SHBA-ve për lirinë fetare: më shumë dhunime në botë


Liria fetare dhunohet më shumë në botë. Ky është rezultati, që del nga raporti vjetor i Komisionit për lirinë fetare të Departamentit të Shtetit amerikan. Teksti prej 243 faqesh vë në dukje diskriminimet dhe persekutimet në të gjitha vendet e botës.

Sinjalizohen vendet, ku persekutimet janë më të rënda, si Birmania, Republika e Afrikës Qendrore, Kina, Eritrea, Irani, Nigeria, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, Arabia Saudite, Sudani, Siria, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani dhe Vietnami. Këto vende bëjnë pjesë në listën ku amerikanët vendosin kombet veçanërisht shqetësuese. Pas tyre, vijnë vendet ku dhunimet e lirisë fetare vazhdojnë, por ka disa përmirësime, si Kuba, Egjipti, Iraku dhe Afganistani.

Gjatë paraqitjes së raportit, dje, Sekretari i Shtetit amerikan, Rex Tillerson, kritikoi ashpër edhe disa vende aleate të SHBA-ve. Sidomos Bahreinin dhe Arabinë Saudite, ku njerëzit vijojnë të dënohen për apostazi, ateizëm, blasfemi dhe fyerje ndaj interpretimit shtetëror të Islamit. Tillerson përmendi edhe diskriminimet kundër shiitëve e pati fjalë të ashpra për Turqinë, vend anëtar i NATO-s. Sipas tij, autoritetet turke kanë kufizuar të drejtat e njeriut për pakicat fetare.

Të menjëhershme, reagimet e disa prej vendeve të akuzuara në raport. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze njoftoi se “Kina protestoi zyrtarisht kundër SHBA-ve”, sepse “ky i ashtuquajturi ‘relacion’ nuk merr parasysh faktet”. Ndërkaq, funksionarët iranianë e akuzuan Departamentin e Shtetit se raporti është “i njëanshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.