2017-08-17 12:48:00

Kardinali Parolin: shkoj në Rusi për të promovuar paqen


Udhëtim “në kuadrin e tensioneve të mëdha ndërkombëtare, për të promovuar paqen”. Kështu e përshkruan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për revistën kishtare italiane “Familja e Krishterë”, vizitën që do të bëjë në Rusi, nga 20 deri më 24 gusht. Gjatë saj, do të takohet edhe me Patrikun ortodoks Kirill dhe me presidentin rus Vladimir Putin.

Problemet ndërkombëtare dhe takimi me katolikët

“Udhëtimi im – shpjegon kardinali – bëhet në kuadrin e tensioneve të fuqishme ndërkombëtare, prandaj tema më e rëndësishme do të jetë promovimi i paqes. Është çështje parësore për t’u shtruar jo vetëm në takimet me autoritetet më të larta civile, por edhe në bisedimet me krerët e Kishës ortodokse ruse, pasi mendoj se roli i bashkësive të besimtarëve është me rëndësi të madhe nga kjo pikpamje”. Kardinali Parolin nënvizon se “vizita do të jetë edhe rasti i përshtatshëm për të shprehur dukshëm afërsinë e Papës me bashkësinë katolike e me ipeshkvijtë e saj, në takimet, të cilave u është rezervuar një pjesë e veprimtarive”.

Vizita e Papës në Moskë? Kard. Parolin: më të rëndësishme Siria dhe Ukraina

Sekretari i Shtetit të Vatikanit është takuar me presidentin rus Putin, në vizitën e parë të tij në Vatikan më 25 nëntor 2013 (vizita e dytë është bërë më 10 qershor 2015). Ndërsa, në Havanë, më 12 shkurt 2016, Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill është takuar me Papën Françesku, të cilit i shtrëngoi dorën në një çast, që ka hyrë tashmë në histori. Në vizitën e kardinalit Parolin bën pjesë edhe procesi i afrimit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Patrikanës së Moskës e përpjekjet për një vizitë të mundshme të Papës në Rusi, por siç shpjegon prelati në intervistë, kësaj radhe, ka argumente të tjera, më të rëndësishme.

Nuk është mister që Vatikani e ka parë prej kohësh presidentin rus Putin si një stabilizator të mundshëm të gjendjes në Lindjen e Mesme, si njeri, që mund të kontribuojë në procesin e paqtimit në Siri e në luftën kundër integralizmit të Shtetit Islamik. Por, siç nënvizon kardinali Parolin në intervistën për revistën “Familja e Krishterë”, tjetër temë e rëndësishme është edhe ajo e Ukrainës, pikë kryesore diskutimi edhe për Patrikanën e Moskës.

Kisha ortodokse ruse vlerëson qëndrimin e Vatikanit për Ukrainën

“Problemi ukrainas është akoma në rend të ditës e mbetet problematik në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave, për shkak të disa veprimtarive të greko-katolikëve në Ukrainë, por ka edhe përmasa humanitare” shpjegon për agjencinë ruse Interfax, Sekretari për Marrëdhëniet ndërkristiane në Departamentin sinodal për Marrëdhëniet e Jashtme në Kishën ortodokse, hieromurgu Stefan Igumnov. “Kisha ortodokse ruse – vijon ai – e vlerëson qëndrimin e Vatikanit për këtë çështje, sepse e përjashton përdorimin e Selisë së Shenjtë për spekullime, që synojnë zgjerimin e mëtejshëm të krizës ukrainase dhe zhvendosjen e konfliktit të vendit në një hapësirë thjesht fetare”.

Zgjidhja e problemeve presupozon daljen nga spiralja e akuzave

Pikërisht duke folur për Ukrainën e Sirinë, kardinali Pietro Parolin thekson, në intervistën për “Familjen e krishterë”, se zgjidhja e kësaj krize “varet kryesisht nga vëmendja e krerëve politikë për kushtet e popullsive të përfshira në të. Duhet vënë në dukje – shton ai – se këto kriza shkaktojnë  keqësimin e marrëdhënieve në tërësi, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”. Sipas kardinalit, “para këtyre situatave, duhen bërë, me durim e zemërgjerësi të madhe, gjeste që kontribuojnë në daljen nga spiralja e akuzave dhe e kontrasteve të ndërsjella e në ndalimin e shkallëzimit të tensionit”.

“Mendoj se Kisha – përfundon kardinali Parolin – nuk duhet të lodhet së pohuari se detyra e përgjegjësve të punëve publike është të marrin vendime, që frymëzohen nga e mira globale, duke kapërcyer logjikën e ngushtë të interesave e të përfitimeve sot për sot e vetëm për një komb të caktuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.