Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: pse Nënë Tereza u shërbente të mjerëve?

Nënë Tereza i jep për të ngrënë një fëmije

17/08/2017 11:28

Edhe pak e arrijmë në ditët e fundit të gushtit e të fillimit të shtatorit, gjatë të cilave përkujtojmë Shenjten e madhe shqiptare, Nënë Terezën. Ajo lindi në Shkup më 26 gusht 1910 e u kthye në Shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator 1997, në Kalkutë. Emisionet e kësaj periudhe, në rubrikën tonë të së enjtes, do t’ia kushtojmë kësaj gonxheje të hijshme të shpirtit shqiptar. Pikërisht si sot, më 17 gusht 1948, Nënë Tereza vishte, për herë të parë, sarin bardh e blu për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve ua kushtoi gjithë jetën. E në emisionin e sotëm, çelësi për të kuptuar pse Nënë Tereza prekte me dorë lebrozë, njerëz plot krimba e sëmundje, ata që jetonin rrugëve të pangrënë e të palarë e, megjithatë, nuk ndalej, nuk tutej, nuk largohej nga ai mjerim.

Kur e pyesje për ndonjë gjë, për çfarëdo lloj gjëje, Nënë Tereza nuk përgjigjej kurrë me shumë fjalë. I dukej se i shpërdoronte ato. Por, të gjitha përgjigjet, gati gjithnjë, të çonin drejtpërdrejt tek Jezu Krishti. “E bëj për Të…Ashtu si na ka mësuar Ai… Ashtu siç na ka treguar Ai”. Pikë! Kaq i mjaftonte. Një përkushtim i plotë, pa kushte, plot pasion. Pa tërli-vërli, do të thoshte një shqiptar.

Ishte grua e kulturuar Nënë Tereza, me universitet, pati bërë mësuesen për më se 20 vjet. Por kur i bëhej një pyetje për jetën e saj, nuk e plotësonte me argumente të çfarëdoshme përgjigjen. Ajo ishte vetëm një: gjithçka ishte për Krishtin e në Krishtin, të cilit ia kishte besuar jetën, punën e kulturën e saj. Gjithçka, pa rezerva.

E ky lëshim i vetvetes në duart e Zotit nuk ishte për të largim nga bota, siç e dëshmoi me gjithë jetën e saj. Përkundrazi, ishte zhytje e thellë në botë, por me një forcë të paparë, të aftë të shndërrojë gjithçka prek. Kjo është braktisja e shenjtorëve, që nuk ka nevojë për teologji të mëdha, për justifikime apo për shpjegime të stërholluara, ka nevojë vetëm për Jezu Krishtin dhe për t’u bërë një me dashurinë e Tij.

Jeta e Nënë Terezës ishte pikërisht kështu. Asnjë lloj superstrukture, s’kishte nevojë. Mjaftonte një fjalë e thjeshtë, një gjest, një ftesë: “Shikoni Krishtin”. E nëse Krishti e ndryshoi rrjedhën e historisë, Nënë Tereza na dëshmon se të gjithë mund të bëjmë si Ai. Paradoksalisht - siç i ndodhi edhe asaj, por edhe shumë shenjtorëve të tjerë - duke e ndjekur Zotin e duke e lëshuar veten në dorën e Tij, edhe paaftësia për ta kuptuar deri në fund misterin e një Hyji, që nuk do holokauste, por arrin të flijojë Birin e tij të vetëm për njerëzit, kthehet në aftësi për veprim, shndërrohet. Sepse para Kryqit nuk ka nevojë për fjalë, por për zemër, që ta kuptojmë atë “Kam etje”, të cilën Nënë Tereza e pati shkruar pranë të Kryqëzuarit, që t’i binte gjithnjë ndërmend se ajo etje duhej shuar me shërbimin ndaj më të varfërve ndër të varfër, në të gjitha skutat më të mjera të botës. Në atë Kryq i gjente të gjitha përgjigjet.

 Kur po bënte hapat e para për të themeluar Kongregatën e saj, Nënë Terezës iu ofrua një shumë e vogël, një farë rroge mujore, që të mund t’u siguronte minimumin e nevojshëm noviceve. Refuzoi. “Nuk kërkoj asnjë lloj sigurie – pati thënë – as për mua, as për motrat e mia”. I mjaftonte siguria e dashurisë së Krishtit, vdekur në Kryq për të gjithë ne. Për Të lëvizte në drejtim të nevojtarëve, Ai ishte forca e saj e brendshme me të cilën mund të ngrinte male, përndryshe, nuk do të ishte në gjendje të bënte atë që bëri e të shndërrohej nga gonxhja shqiptare e Shkupit, në shenjten e Kishës universale, nderuar nga e gjithë bota.

 

17/08/2017 11:28