2017-08-16 17:31:00

Taizé: 12 vjet më parë, vdekja e Frère Roger, njeri i dëgjimit


“Gjeta identitetin tim të krishterë, duke pajtuar brenda vetes fenë e origjinës me misterin e fesë katolike, pa e prishur bashkimin me askënd”. Në fjalët e Frère Roger Schutz, themelues i Bashkësisë së Taizé-së, thelbi i trashëgimisë së tij, 12 vjet pas vdekjes. Më 16 gusht 2005 u vra nga një grua me të meta mendore, gjatë lutjes në kishën e Pajtimit, në praninë e më se 2.500 të rinjve.

         Roger Schutz ia kushtoi jetën pajtimit ndërmjet të krishterëve, sidomos takimit ndërmjet protestantëve dhe katolikëve. Themeloi bashkësinë murgare të Taizé-së, pranë fshatit Cluny në Francë, më 1940. Jeta e saj bazohet kryesisht mbi lutjen, por edhe mbi mikpritjen. Kur filloi Lufta II Botërore, Frère Roger ndjeu se duhej të ndihmonte njerëzit e sprovuar nga konflikti. Një grua e moshuar iu përgjërua të ndalej në kodrinën mbi Cluny e Frère Roger pa në të, dorën e Zotit. Pasi filloi udhën e saj shpirtërore, bashkësia ekumenike e Taizé-së vijoi të rritet e të pasurohet me anëtarë të rinj. Sot, anëtarët e bashkësisë janë rreth 100, nga konfesione të ndryshme të krishtera, me origjinë nga 30 vende të botës.

Taizè është kthyer në një pol jashtëzakonisht tërheqës për të rinjtë, të cilët shkojnë në këtë vend të vogël për t’u lutur e për të jetuar së paku një javë së bashku me fretërit. Këtu shkojnë çdo vit edhe të rinj shqiptarë, katolikë, ortodoksë e protestantë, të cilët e ndjekin Bashkësinë e Taizé-së edhe në Takimet ndërkombëtare të dimrit, për të festuar Vitin e Ri me gëzimin e krishterë, që jep lutja dhe jetesa bashkë me moshatarët nga e gjitha bota, të cilët mblidhen në një nga kryeqytetet, ose qytetet më të rëndësishme, për të dëshmuar Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.