2017-08-16 14:33:00

Imzot Viganò: njeriu është në qendër të reformës së mediave vatikanase


Që sot e deri më 20 gusht, në Brazil, mbahet “Mutirão i komunikimit”, organizuar nga Konferenca e Ipeshkvijve brazilianë. “Mutirão” është fjalë, që ka disa kuptime: asamble, konfrontim, bashkëndarje e punë kolektive. Nisma, lindur në vitin 1998, synon të krijojë një hapësirë shkëmbimi, reflektimi dhe thellimi në çështje, që kanë të bëjnë me shoqërinë e mass mediat. Tema e takimit të sivjetëm, që zhvillohet në Shën Katerinë, është “Të edukohet komunikimi” e shërben për të reflektuar mbi teknologjitë e reja. I pranishëm në këtë “Mutirão”, edhe prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, i cili, pikërisht sot, foli mbi “Komunikimin në Kishë në perspektivën e Papës Françesku”. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Është çast shumë i rëndësishëm – e them si prefekt i Sekretarisë për Komunikimin – sepse është takim i madh pune për të gjithë komunikatorët e Brazilit. Me ta, arsyetojmë si Kisha mund të mësojë sërish të komunikojë përmes dëshmisë, sipas paradigmës së Papës Françesku. Fillimisht, analizuam së bashku karakteristikat e veçanta të komunikimit të Papës Françesku e së dyti, paraqita reformën e dashur nga Papa, e cila, tashmë, është në gjysëm të udhës: një reformë e mediave vatikanase që të arrijmë në një sistem të ri të komunikimit në kulturën dixhitale.

Cilat janë tiparet e komunikimit të Papës Françesku?

Papa Françesku ka aftësinë të ripërkufizojë kodet dhe format e komunikimit: mund të themi se përdor me frymë krijuese – pra, duke e braktisur formën e zakonshme – historitë, sidomos shembëlltyrat dhe metaforat, sepse pikërisht kjo mënyrë të foluri i lehtëson marrëdhëniet me të tjerët, e zvogëlon distancën, e bën tjetrin njeri, me të cilin mund të dialogohet. Të mos harrojmë se mënyra e të folurit të Papës Françesku ka gjithnjë një synim shumë pragmatik, pra, nuk është kurrë autoreferenciale, por provokim për të shkaktuar një efekt në planin konkret të jetës: në një farë mënyre, dëshiron të japë rastin që ndokush, duke mësuar diçka më tepër, duke takuar Ungjillin e mëshirës, të bëjë në jetë gjeste e udhë mëshire.

Cila është reforma, që u paraqitët gazetarëve brazilianë?

Tashmë, reforma është përudhë e kjo, falë faktit se njerëzit e përfshirë në segmentet e ndryshme të sistemit komunikativ të Selisë së Shenjtë janë me profesionalitet të lartë e, sidomos, me qëndrim vërtet kishtar, pra, në shërbim të Atit të Shenjtë e të Selisë së Shenjtë. Prandaj, reforma vijon mirë e këtë vit, kemi shpresën e madhe ta bëjmë publik Portalin komunikativ të Selisë së Shenjtë, ku përmblidhen redaksitë e Radio Vatikanit e të Qendrës Televizive të Vatikanit. Do të jetë Portal multimedial e shumëgjuhësh. Pikërisht kjo strukturë, nga njëra anë, do të mundësojë informacionin koherent të Selisë së Shenjtë – pra jo një informacion monolitik e aq më pak, i homogjenizuar, por mjaft koherent – e, nga ana tjetër, do t’i krijojë mundësinë secilës redaksi të diferencojë aspektet më të rëndësishme për publikun e vendit të vet. Këtë dëshirojmë të bëjmë e jam i sigurtë se do ta bëjmë. Paraqita hapat e bëra vit për vit: rrugën e formimit të sa e sa personave; investimet teknologjike për të kaluar nga një sistem mediatik, në të cilin secili mendonte vetëm për vetveten e për kërkesat që vinin nga secili vend, në një sistem komunikativ, që, pikë së pari, i përgjigjet Selisë së Shenjtë: të komunikojmë Papën, magjisterin e tij, gjestet e tij dhe punën e dikastereve të Kuries Romake për Kishën e përhapur në të gjithë botën. E së bashku, të vemë në dukje ato nisma të veçanta, domethënëse, të disa Kishave, në mënyrë që të gjitha Kishat e tjera t’i njohin e nga kjo njohje e përvojë të lindë diçka e ngjashme apo gjithsesi, diçka e dobishme.

A është e mundur të jesh nxitje edhe për realitetet lokale?

Jo, është e nevojshme që realitetet lokale të jenë stimul e stimuluese, pikërisht sepse kështu është Kisha: mban së bashku një kaleidoskop njerëzish, një bashkësi ngjyrash, prejardhjesh e botëkuptimesh. Kisha është kjo larmi e në këtë larmi jetojnë Kishat; Kisha e Romës nuk është sinteza e të gjitha të tjerave: është ajo, që kryeson në dashuri të gjitha Kishat, pra, i kërkon secilës të jetë vetvetja, me tiparet e saj të veçanta, brenda një udhe të përbashkët, që është ajo e traditës së madhe të Kishës, të Shkrimit Shenjt e të Magjisterit. E në kuadrin e kulturës dixhitale, teknologjia është e rëndësishme, por nuk është e para e as më e rëndësishmja. Sepse qasja ndaj komunikimit për burrat e gratë e Kishës nuk mund të jetë teknocentrike, por antropologjike: pra, është zemra e burrit dhe e gruas ajo, që duhet të mbushet me balsamin e hirit e të mëshirës së Zotit, që edhe në internet, njerëzit ta dallojnë hijeshinë e veçantë të Ungjillit, forcën e tij tërheqëse. Edhe reforma e mediave të Selisë së Shenjtë ka gjithnjë këtë qendër: njeriun, zemrën e njeriut, sepse kur njeriu prek hirin e Tënzot, di të jetë dëshmitar tërheqës i Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.