2017-08-15 11:27:00

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, të krishterët të jenë shenjë shprese në botë


Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Kujtojmë se në këtë festë të të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Papa Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950. Festa e sotme është ftesë për t’i lartuar sytë drejt amshimit, për shikuar lart e për të kujtuar se jeta e njeriut nuk mbaron këtu poshtë; jeta nuk përfundon me të sotmen; jeta tokësore shkon drejt jetës së pasosur, që përplotëson gjithçka e përmban kuptimin e gjithçkaje. Jeta është shtegtim. Është e pasosur.

Kështu, me solemnitetin e të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, duhet të mësojmë për t’u bërë edhe ne shenja shprese e ngushëllimi, përballë shfaqjes së trishtuar të gëzimit të rremë e njëkohësisht të një dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën bashkëkohore, e një nxitje për ta kumtuar me jetën tonë, ngjalljen e Krishtit! Me këto fjalë shprehet bukur domethënia e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Festa e sotme, na kujton Kisha, na nxit të ngjitemi bashkë me Marinë në lartësitë e Shpirtit Shenjt, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë, që është shenjtëria.

Të ngjiturit e Marisë me korp e me shpirt në qiell – na kujton liturgjia e festës – është ngjarje e pashembullt dhe e jashtëzakonshme, që e mbush me shpresë e me lumturi zemrën e çdo njeriu. Kështu Zoja e Bekuar bëhet shenjë shprese e ngushëllimi. Kjo festë na nxit t’i lartojmë sytë drejt qiellit; një qielli që nuk është i bërë nga ide abstrakte, e as një qielli imagjinar, krijuar nga arti, por qiellit të realitetit të vërtetë të Hyjit. Hyji është qielli, Hyji është caku nga vijmë e ku dëshirojmë të shkojmë.

Kur Maria ra në gjumë në këtë botë, për t’u zgjuar në qiell s’bëri tjetër, veçse ndoqi për herë të fundit Birin e vet, Jezusin, në shtegtimin e tij më të gjatë e përfundimtar. Si Jezu Krishti, e së bashku me Të, u nis nga kjo botë, për t’u kthyer në shtëpinë e Atit Hyjnor. E gjithë kjo nuk është larg nga ne, siç duket në çastin e parë, sepse të gjithë jemi bij të Hyjit, të gjithë jemi vëllezër të Jezusit e të gjithë jemi edhe bij të Marisë, Nënës sonë. E të gjithë priremi drejt lumturisë. E lumturia, që të gjithë e dëshirojmë, është Hyji, kështu të gjithë jemi në shtegtim drejt kësaj lumturie, të cilën e quajmë qiell e që është Hyji. T’i lutem Marisë – na fton sot Kisha - të na ndihmojë që çdo hap i jetës sonë të jetë një hap para në shtegtimin drejt Hyjit, drejt këtij shndërrimi që ka të bëjë me çdo njeri e me mbarë gjithësinë.

Ajo, nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar të Krishtit, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Krishti është fryti i parë, por korpi i tij i Ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në Ngjitjen drejt Hyjit.

Është ky një shndërrim në të cilin përfshihet mbarë gjithësia, sepse do të lindë një qiell i ri e një tokë e re, në të cilën nuk do të ketë më lot, as vaj e as vdekje. Ç’mister i madh dashurie na propozohet përsëri sot në këtë festë për kundrim! Krishti fitoi mbi vdekjen me gjithëpushtetin e dashurisë. Vetëm dashuria është e gjithëpushtetshme e të bën të hysh në mbretërinë e jetës. Maria hyri atje pas të Birit Jezus, e shoqëruar nga lumnia e Saj, pasi qe shporuar nga mundimet, duke lënë pas udhën e hapur për të gjithë ne.

E prandaj sot e quajmë ‘Porta e qiellit’, ‘Mbretëresha e Engjëjve’ e ‘Streha e mëkatnorëve’. Sigurisht nuk janë gjykimet që na bëjnë t’i kuptojmë këto realitete tejet të larta, por feja e thjeshtë, e kulluar, e thellë dhe heshtja e lutjes, që është shumë më e fuqishme se ne vetë e që na ndihmon të flasim drejtpërdrejtë me Zotin. T’i lutemi Marisë – na fton gjithnjë Kisha - të na japë dhuratën e fesë, të asaj feje që të bën të jetosh që tani në përmasën ndërmjet sosjes së jetës e jetës së pasosur, asaj feje që shndërron edhe ndjenjën e kohës.

Duke parë Zojën e Ngjitur në Qiell, e kuptojmë më mirë se jeta jonë e përditshme, ndonëse plot me prova e vështirësi, rrjedh si lumë drejt oqeanit hyjnor, drejt gëzimit e paqes së përkryer. Kuptojmë se vdekja jonë nuk është fundi, por hyrja në jetën që nuk njeh mort. Perëndimi ynë në horizontin e kësaj bote, është agim në botën e re, në ditën e amshuar. Pra, Kisha na kujton se nga Parajsa, Zoja e Bekuar vijon t’i ndihmojë bijtë, që ia besoi Jezusi, para se të vdiste në kryq, posaçërisht në çastet e vështira të provës.

Sa dëshmi të kësaj mbrojtjeje amtare vërtetohen duke vizituar Kishat e Shenjtëroret që i kushtohen Asaj kudo në botë e po kështu edhe në viset shqiptare! Zoja e ngjitur në qiell na tregon cakun e fundit të shtegtimit tonë tokësor. Na kujton se gjithë qenia jonë – shpirt e korp – është e paracaktuar për jetën e vërtetë; se kush jeton e vdes duke dashur Zotin e të afërmin, do të shndërrohet sipas shëmbëlltyrës së trupit të lumnuar të Krishtit të ngjallur; se Zoti i përul krenarët e i larton të përvujtit (cfr Lk. 1, 51-52). Këtë Zoja e Bekuar e shpall në amshim me misterin e të Ngjiturit të saj në Qiell.

Qofsh e lavdëruar përgjithmonë e jetës, o Virgjëra Mari. Lute Zotin për ne!. Në këtë festë, pra, t’i lutemi Marisë të na shoqërojë në mundimin e jetës sonë të përditshme e të vdekjes sonë, duke na ndihmuar të drejtohemi gjithnjë drejt atdheut të lumnive hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.