2017-08-15 15:23:00

Tri ditë me të lumin Imzot Oscar Romero


Nisi më 12 gusht e përfundoi sot 15 gusht 2017, përkujtimi i njëqindvjetorit të lindjes të të Lumit Oscar Romero. Parapërgatitja e gjatë, e filluar të nesërmen e lumnimit, në maj 2012, arriti në përfundimin e vet të natyrshëm me kremtimin e njëqindvjetorit të lindjes, më 15 gusht 1917, në qytezën Ciudad Barrios. E pikërisht në këtë ditë, kardinali i parë në historinë e Salvadorit, imzot Gregorio Rosa Chavez, njoftoi, përmes profilit të tij Facebook, se “Papa Françesku dëshiron të shkojë për vizitë në vendin qendroamerikan, për shenjtërimin e mundshëm të Oscar Arnulfo Romeros”. Ma konfirmoi vetë Papa - pohon prelati latino-amerikan dhe shton: “Do të jap më shumë informacion ditët e ardhshme”.

Lajmi i madh arriti Natën e Solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, pikërisht kur mbushen njëqind vjet nga lindja e Imzot Romeros, një nga martirët më të njohur të shekullit të kaluar, vrarë në altar, më 24 mars të vitit 1980, në San Salvador, kryeipeshkëv i të cilit ishte, nga skuadrat e vdekjes, ndërsa kremtonte Meshën në spitalin e Provansië Hyjnore. E vranë! Për t’ia mbyllur gojën! Sepse dënonte haptazi shtypjen e popullit të tij nga regjimi në fuqi. Pa frikë nga dhuna. Pa droje nga kërcënimet e regjimit. E regjimi nuk vonoi të niste vrasësin, që hapi zjarr mbi ipeshkvin, me shpresën se duke u rrëzuar në altar, nuk do të ngrihej kurrë më në këmbë. Ndërsa ai u ngrit, e këtë herë, pikërisht mbi altar. Për të përsëritur, në kujtesën e bashkatdhetarëve, atë që kishte thënë atë ditë, kur besuan se nuk do të fliste kurrë më. Në homelinë e asaj dite, imzot Romero pati paditur drejtpërdrejt qeverinë e Salvadorit, e cila i përditësonte hartat e zonave të minuara, duke nisur përpara fëmijët, që copëtoheshin nga shpërthimet. E, një ditë përpara, më 23 mars, i pati ftuar haptazi oficerët e të gjitha forcave të armatosura të mos i zbatonin urdhërat, sepse në kundërshtim të plotë me moralin njerëzor. Nuk e lanë ta mbaronte fjalën…

Edhe ditën kur kremtohej Mesha e Dritës për Prelatin martir, ushtria salvadoriane hapi zjarr mbi besimtarët, duke kryer një masakër të përgjakshme, që nuk e shleu, por përkundrazi, e forcoi edhe më shumë kujtimin dhe shembullin e imzot Romeros, i cili këto ditë po përkujtohet në mbarë botën me kremtime të shumta publike. Kjo, vazhda e ndritur që la pas Martiri salvadorian, i lumnuar më 23 maj 2015, pas një çështjeje, mbetur në vend për shumë kohë, për shkak të bllokimit jo vetëm nga ana e ipeshkvijve jugamerikanë, që druheshin nga manipulimet, por edhe nga forcat e së majtës latinoamerikane. Çështja u zhbllokua një herë nga Benedikti XVI, e më pas, edhe nga Françesku, Papa i parë jugamerikan në historinë e Kishës.

Në përkujtimin, organizuar në El Salvador, mori pjesë, në emër të Papës, i dërguari i posaçëm, kardinali Ricardo Ezzati, kryeipeshkëv i Santjagos së Kilit. Ndërmjet veprimtarive të shumta, spikati shtegtimi, titulluar “Udha e Imzot Romeros”, 157 kilometra, 98 të bëra në këmbë e 59, në autobus, në disa ditë.

E ja se në këtë njëqindvjetor vjen edhe lajmi i madh i mundësisë së vizitës së Papës në Salvador dhe shpalljes së të Lumit, Shenjt! 








All the contents on this site are copyrighted ©.