Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…Klementi XI përsëri përballë zhansenistëve”.

Ipeshkvi francez Louis-Antoine de Noailles - RV

15/08/2017 00:00

Klementi qe i bindur se papërkulshmëria ishte udha e vetme, mbi të cilën duhej shkelur, për të përballuar problemin që e shqetësonte prej kohe shpirtin e  tij.  Në të vërtetë, sapo u zgjodh, për shkak të bindjeve të veta, apo të vijës së ndjekur nga pararendësit, besonte se ishte ende e mundur të ribashkohej Kisha rreth një plani kurial, që do ta respektonte plotësisht ortodoksinë pastridentine e do të ishte në gjendje ta përtërinte figurën shpirtërore e juridike të papës. E për ta vënë në jetë këtë plan, gjatë dy vjetëve të para të papnisë, iu desh të kërkonte një ekuilibër të vështirë ndërmjet prirjeve të ndryshme, të pranishme posaçërisht në gjirin e Shoqërisë së Jezuitëve, që dëshironin t’i përshpejtonin kohët e shkëputjes nga kundërshtarët, domethënë, ta realizonin përtëritjen romake përmes thellimit të rreptësisë morale e fetare si dhe të lidhjes më të ngushtë me ralitetet shumëformëshe kishtare evropiane, duke përfshirë, këtu, edhe mjediset që shikoheshin si të afërta me zhansenizmin. Klementi XI nuk anoi kurrë nga qëndrimi i fundit, ndonëse ndonjëherë edhe u josh prej tij, me vetëdijen se ndiqej jo pak e, ndoshta, edhe duke ushqyer shpresën e fshehtë se fenomeni zhansenist do të shuhej vetvetiu.

Kështu mund të shpjegohet karakteri enigmatik i tri vjetëve të para të papnisë kur, në kundërshtim me dëshirën e Luigjit XIV e në përpjekjen për t’i siguruar Romës autonominë e plotë në marrjen e vendimeve, thirri në Kurie Lorenzo Casoni-n, nunc në Napoli dhe përfaqësues kryesor i rrymës, që kërkonte pajtimin me zhansenizmin, për ta emëruar anëtar të Zyrës Shenjte - Sant’Uffizio (Janar 1702), si të donte t’i vinte pritë pushtetit gjithnjë në rritje të imzot Fabronit, përfaqësues kryesor i të papajtueshëmve e Sekretar i Propaganda Fide-s. Por fakti që ky i fundit ishte i zoti të ushtronte ndikim vendimtar mbi Papën, nisi të bëhej i qartë në maj të vitit 1702, kur Klementi XI lejoi shkarkimin e Atit Codde-s, i akuzuar si përkrahës i zhansenistëve, nga detyra e mëkëmbësit apostolik holandez, ndonëse e dinte mirëfilli se ishte simpatizant i tij. Ky vendim u kundërshtua nga  Klasat e përgjithshme1   në favor të Codde-s e, më pas, edhe nga Kapitulli i Utrecht-it e i Haarlemi-t, që nuk deshën ta njohin zëvendësuesin e emëruar nga Roma, Teodoro de Cock. Në gusht 1702 filluan raprezaljet antikuriale, që goditën në mënyrë të veçantë Jezuitët.

Veç kësaj, në Francë nisi bashkimi i tharmeve galikane me ato zhanseniste, favorizuar nga emërimi i kryeipeshkvit të Parisit, Louis-Antoine de Noailles2, i paracaktuar të bëhej kreu i padiskutueshëm i rezistencës antipapnore, pasuar nga presionet e ashpra të partive zhanseniste romake. Atëhere Papa e humbi çdo dëshirë për sheshimin e mosmarrëveshjeve dhe nisi të mendojë ‘për shtypjen inkuizitoriale të tyre’. I informuar për polemikat e lindura, nga botimi, mbuluar me anonimat2, i broshurës Cas di consience (Çështje ndërgjegjeje) dhe nga vendimi favorizues i dyzet doktorëve të Sorbonës, mbi ligjshmërinë e “heshtjes respektuese”, Klementi e dënoi broshurën me brevën Cum nuper (12 shkurt 1703); ky akt shënoi fundin e taktikës së arsyeshme nga ana e Papës, ndërsa një mori elementësh u përbetuan ta përforcojnë këtë qëndrim.

Posaçërisht Luigji XIV, ndonëse jo aq i fortë në lëndën teologjike, i pranoi këshillat e rrëfyesit të tij jezuit, Le Tellier, e të Madame de Maintenon, duke hamendësuar se pas lëvizjeve politike kundër absolutizmit, mund të fshihej pikërisht dora galikane e zhanseniste. Ai, i paaftë për ta zgjidhur këtë çështje ose duke e quajtur të panevojshme ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, kërkoi nga Roma hartimin e një dokumenti, që t’u jepte fund grindjeve. Ndërkaq internunci i Fiandrave, G.B. Bussi, e njoftonte hollësisht Papën për thellimin e armiqësisë si dhe për përhapjen masive të teorive zhanseniste, posaçërisht pas rikthimit të Codde-s në Holandë. Së fundi, më 8 qershor 1703, kryeipeshkvi i Malines, besniku  Humbert de Precipiano, i shkruante Romës, duke dhënë njoftime të hollësishme për plaçkitjen sistematike të një ekipi jezuitësh dhe për materialin që iu sekuestrua atit Quesnel në çastin e arrestimit, gjëra që flisnin qartë për përhapjen dhe fuqizimin e zhanesenizmit në Vendet e Ulëta, në Francë, e madje edhe në Romë. Ndonëse dokumentet sot nuk mund të gjinden, hamendësohet, në dritën e situatave të mëpasme, se ngjarja ndikoi mbi kthesën e rëndësishme të luftës kundër zhansenistëve.

Klementi XI, i vetëdijshëm se pas Quesnel nuk ishte thjesht një patrullë e ligshtë teologësh, por një lëvizje e fuqishme dhe e mirorganizuar, në gjirin e vetë Kishës, vendosi të mbajë qëndrim të papajtueshëm kundër tyre. Për më tepër, i bindur, nga njëra anë, për të  mbajtur një qëndrimi të prerë lidhur me rastin e “Çështjes së ndërgjegjes” e nga ana tjetër, tejet i shqetësuar nga lajmet, që i sillte Nunci Gualtieri nga Parisi, ku përhapej gjithnjë më shumë qëndrimi indiferent ndaj vendimeve romake në Parlament, në Sorbonë e në opininin publik, shpalli bulën “Vineam Domini Sabaoth” (15 korrik 1705).  

Në këtë bulë u konfirmuan konstitucionet e Inoçencit X e të Alesandrit VII dhe u pranua boca e Fabronit kundër përpjekjeve të pavlefshme të prelatëve më të ndjeshëm e më të shqetësuar përballë polemikave të pashmangshme lidhur me interpretimin e dokumentit. Papa, që kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në hartimin e bulës, besoi pa menduar gjatë, se e kishte pastruar fushën nga çdo dyshim lidhur me çështjen e “heshtjes respektuese” dhe se e kishte riafirmuar magjisterin e lartë të mëkëmbësit të Krishtit. Në të vërtetë, zhansenistët e shfrytëzuan botimin e Vineam Domini për të shpalosur gjithë forcën e tyre. Më 21 gusht 1705,  Asambleja e klerit të Francës pohoi pa lëkundje parimet episkopaliste lidhur me gjykimin rreth çështjeve doktrinore si edhe me pranimin e vendimeve papnore. Veç kësaj Bula, ndonëse formalisht e pranuar, u injorua, gjë që i dha shtytje riforcimit të ideve galikane. Klementi deshi të hartonte një brevë, (15 prill 1706), për ridimensionimin e qëndrimit të ipeshkvijve francezë, por pastaj u bind se duhej treguar më shumë maturi për shkoklimin e një situate kaq të ngatërruar. 

1 “Shtresat e përgjithshme” - organ përfaqësues i tri shtresave shoqërore në Shtetin francez, para Recvolucionit të 1789-tës (États généraux). Asambleja, me origjinë feudale, kishte funksionin të kufizonte pushtetin monarkik. Shtresat e përgjithshme mblidheshin kur vendi kërcënohej nga rreziqe të pashmangshme.

2 Louis-Antoine de Noailles (Cros-de-Montvert, 27 maj 1651 - Paris, 4 maj 1729), kardinal e kryeipeshkëv katolik francez, krijuar nga Papa Inocenci XII.

Broshura ishte  shkruar nga atë Quesnel

15/08/2017 00:00