2017-08-15 17:07:00

Përmbytje në Sierra Leone, më se 400 të vdekur. Lutja e Papës


Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i lartoi lutjen “Marisë, Mbretëreshë e  paqes, që e kundrojmë sot në lumni të Parajsës”, duke ia besuar edhe një herë ankthet e dhimbjet e popullsive që, në të katër anët e botës, vuajnë nga fatkeqësi natyrore, nga tensione shoqërore, nga konflikte. E nxjerrtë Nëna jonë qiellore nga Zoti, për të gjithë, hirin e ngushëllimit dhe ardhmërinë  e paqes e të harmonisë. 

Këto fjalë Papa i foli pikërisht ditën kur Sierra Leone vijon të përmbytet nga shirat e rrëmbyera: përmbytje që i kanë shndërruar rrugët në lumenj balte. Nga ky vërshim i papërballueshëm gjetën vdekjen më se 400 vetë, ndërmjet të cilëve, gjashtëdhjetë fëmijë. E reshjet e vazhdueshme, që vijojnë mbi vendin Afrikan - ndër më të varfërit në botë – shkaktuan shembjen e kodrës, që ngrihej mbi kryeqytetin Freetown, duke i gëlltitur shtëpitë, me gjithë banorë.

Pamje apokaliptike! Njerëz që humbën gjithçka, që s’kanë strehë ku të fusin kokën e që nuk arrijnë t’i gjejnë as të afërmit, të cilët ka rrezik t’i ketë mbuluar të gjallë balta. Shkaku i kësaj tragjedie, shpyllëzimi dhe ndërtimi i nxituar i shtëpive, tani nën shtresën e trashë të dheut.

Kujtojmë se përmbytjet janë një nga plagët e rënda që thellojnë situatën e vështirë në Sierra Leone. 








All the contents on this site are copyrighted ©.