2017-08-15 13:46:00

Papa, Engjëlli i Zojës së Ngjitur në Qiell: Maria i sjelltë botës gëzimin e Jezusit!


“Maria na ndihmoftë të jemi shenjtorë, për t’u takuar me Të, një ditë, në Parriz!”: kjo, lutja e Papës Françesku sot, në Engjëllin e Tënzot të solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

Duke komentuar Ungjillin e sotëm, që përshkruan vizitën e Virgjërës tek Elizabeta për ta ndihmuar në muajt e fundmë të shtatzanisë së saj të mrekullueshme, Papa nënvizoi se dhurata më e madhe që i solli Maria kushërirës së motuar - e mbarë botës - është Jezusi, i cili tashmë jeton në Të:

“Në shtëpinë e Elizabetës e të të shoqit, Zakarisë, në të cilën më parë mbretëronte trishtimi i shtëpive, ku nuk dëgjohet zëri i fëmijëve, që është jetë  – vijoi komentin e Ungjillit Papa - tani mbretëron gëzimi i pritjes. Një fëmijë është nisur. Do të vijë së shpejti, për ta mbushur shtëpinë me tingujt e jetës. E fëmija do të bëhej i madhi Gjon Pagëzuesi, pararendës i Mesisë. Kur arrin Maria, gëzimi i mbush përplot zemrat, sepse prej saj ndjehet fort në atë shtëpi, deri pak më parë tytë, prania e Jezusit. Ndjehet e e mbush plot me kuptim jetën, familjen, shpresën e popullit për shpëtim. Gjithçka!”.

Ky gëzim - shpjegoi Papa - shprehet, me zërin e Marisë, në lutjen mahnitëse,  që  na e përcjell Ungjilli i Lukës e që, nga fjala latine, me të cilën fillon, quhet: “Magnificat! Zemra ime madhëron Zotin! Është kënga e lavdit drejtuar Zotit, që bën punë të mëdha, përmes njerëzve të përvuajtur, të panjohur për botën, sepse përvujtëria është si një zbrazësi, që i lë vend Zotit”.

Magnificat i këndon Zotit të mëshirshëm e besnik, që e realizon planin e Tij të shëlbimit me të vegjlit e të vafërit, me ata që kanë fe në Të, që i besojnë Fjalës së Tij, si Maria. Prandaj - kujtoi Papa - Elizabeta brohoret “E lumja ti, që besove!” (Lk 1,45).

Në vijim Françesku pëshkroi atmosferën gazmore, që u krijua në shtëpinë e vogël, të banuar nga njerëz të vegjël e të panjohur, kur aty, përmes Marisë, “erdhi vetë Jezusi”. Ishte Zoti ai, që i mbushi shtëpi e njerëz me gëzim e bashkim vëllazëror, duke krijuar një atmosferë feje, që të çon në shpresë, në lutje, në lavdërim.

Prej këndej, dëshira e Papës:

“Sa do të dëshironim që kjo atmosferë të krijohej sot edhe në shtëpitë tona: duke kremtuar të Shenjtnueshmen Mari të Ngjitur në Qiell, do të dëshironim që Ajo, edhe një herë, të na e sillte ne, familjeve tona, bashkësive tona, këtë dhuratë të pamasë, këtë hir të pashembullt, që duhet ta kërkojmë gjithnjë të parin e mbi të gjitha hiret e tjera, të cilat,  gjithashtu, i kemi fort për zemër: hirin, që është Jezu Krishti!”.

Duke sjellë Jezusin - shtoi Papa - Maria na sjell edhe ne një gëzim të ri, plot me kuptim, na sjell një aftësi të re për t’i kapërcyer me fe çastet më të dhimbshme e më të vështira: na sjell aftësinë e mëshirës, për ta falur, për ta kuptuar e për ta mbshtetur njëri-tjetrin.

Në përfundim të katekizmit, një lutje drejtuar Marisë së Ngjitur në Qiell:

“Maria është modeli i virtytit dhe i fesë. Duke e kundruar sot të ngjitur në Qiell, në përfundim të udhës së saj mbi tokë, ta falënderojmë, sepse na prin gjithnjë në shtegtimin e jetës e të fesë. Është dishepulle e parë. E t’i lutemi të na ruajë e të na ndihmojë; që të kemi një fe të fortë, gazmore e përdëllyese”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, përshëndetjet drejtuar shtegtarëve, të shumtë edhe sot, mbledhur në Shesh për t’u lutur me Atin e Shenjtë në këtë festë kaq të ndjerë për gjithë të krishterët e Lindjes e të Perëndimit.

Pastaj urimi drejtuar besimtarëve: “Gëzuar festën e Zojës së Ngjitur në qiell!”

 E, si gjithnjë, kërkesa për një lutje e një mirupafshim plot me ngrohtësi atërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.