Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: në Marinë, shohim se përvujtëria është virtyti i të fortëve

Zoja e Ngjitur në Qiell - RV

14/08/2017 13:56

Nesër, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Vërtet, besimtarët shqiptarë i kanë kushtuar shumë kisha a shenjtërore Zojës së Madhe, si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje. Ashtu si vapa e verës shkakton shpesh shkurajim e dëshirë për t’u strehuar nën ndonjë hije pa lëvizur aspak, ashtu edhe jeta, me sprovat dhe problemet e saj na bën të ndalemi e të mos e shohim qartë horizontin pozitiv, drejt të cilit mund të shkojmë vetëm nëse përveshim mëngët e i vëmë vetes qëllime të përcaktuara mirë.

Lavdia e Shën Marisë së ngjitur në qiell na kujton, ndërkaq, diçka tjetër: jeta e përditshme është si ai dragoi i kuq, për të cilin flitet në Librin e Zbulesës (11,19a;12,1-6a.10ab) – Leximi i parë i liturgjisë së solemnitetit – që hedh në tokë yjet e shndritshme të shpresave tona dhe përpiqet të përpijë pritjeve më të mira të njeriut. Gjithsesi, siç shpjegohet pastaj në Leximin e dytë nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Korintainëve (15,20-27a), të krishterët e dinë se ky nuk është fundi, sepse në Krishtin, çdo e keqe shkatërrohet dhe jeta ngadhënjen mbi mëkatin e vdekjen.

Shën Maria është figura dhe shembulli i kësaj rruge feje: ajo ngazëllehet, sepse Zoti ia zgjat krahun njeriut dhe nuk e braktis atë, që i qëndron besnik. Në Marinë, siç shpjegon më pas Ungjilli nga Luka ( 1,39-56), kjo shihet qartë e plotësisht, pasi Zoja ndau me Krishtin triumfin e Tij, me trup e me shpirt. Pikërisht dje, Papa Françesku publikoi një tweet kushtuar Marisë. “Në Marinë – shkruan Ati i Shenjtë – shohim se përvujtëria nuk është virtyt i të dobëtëve, por i të fortëve, që nuk i keqtrajtojnë të tjerët për t’u ndjerë të rëndësishëm”.

Është frazë, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium” e cituar nga Papa edhe gjatë udhëtimit të tij në Fatima, në maj, me rastin e 100-vjetorit të Dukjes së Zojës në Cova da Iria. Duke u takuar me shtegtarët në Kapelën e Dukjeve, më 12 maj, Françesku pati nënvizuar se “me Krishtin e shën Marinë, ne mbetemi në Zotin. Vërtet, nëse duam të jemi të krishterë, duhet të jemi marianë, pra, duhet t’i njohim marrëdhëniet thelbësore, jetësore e providenciale, që bashkojnë Zojën me Jezusin, të cilat hapin për ne udhën, që na çon drejt Tij”.

Maria, pati thënë Papa , është “Mësuese e jetës shpirtërore, e para që ndoqi Krishtin përgjatë udhës së ngushtë të kryqit, duke na dhënë shembullin”; është “e Bekuar, sepse u besoi” gjithnjë e në çdo rrethanë fjalëve hyjnore (shih Lk 1,42.45). E pikërisht duke cituar “Evangelii Gaudium”, pati nënvizuar:

“Sa herë shohim Marinë, besojmë sërish në forcën revolucionare të ëmbëlsisë dhe dashurisë. Në Të vërejmë se përvujtëria dhe dhembshuria nuk janë virtyte të të dobëtëve, por të të fortëve, që nuk kanë nevojë t’i keqtrajtojnë të tjerët për t’u ndjerë të rëndësishëm… Kjo dinamikë drejtësie e dhembshurie, kundrimi e rruge drejt të tjerëve, e bën Atë një model kishtar për ungjillëzimin” (Evangelii gaudium, 288). Papa Françesku pati përfunduar me lutjen: “Secili prej jush u bëftë, me Marinë, shenjë e sakrament i mëshirës së Zotit, që fal gjithnjë, fal gjithçka”.

14/08/2017 13:56