2017-08-14 14:44:00

Kolumbi: filloi mbledhja e fondeve për vizitën e Papës Françesku


Filloi sot në Kolumbi, mbledhja e fondeve për të financuar vizitën e Papës Françesku në vendin amerikanolatin, nga 6 deri më 11 shtator. Fushata organizohet nga Konferenca Ipeshkvnore Kolumbiane.

Në një notë, ajo shpjegon se “përgjegjësitë e Kishës kanë të bëjnë me aspektet shpirtërore dhe baritore, ndër të cilat: mikpritja dhe strehimi i Atit të Shenjtë dhe i shoqëruesve të tij; formimi baritor i besimtarëve në të gjithë territorin kombëtar; kremtimet liturgjike dhe takimet e tjera parashikuar nga programi papnor; informacionet për besimtarët”. Saktësohet se pjesa më e madhe e personelit, që bashkëpunon me Kishën në Komitetin Organizativ për shtegtimin apostolik, janë vullnetarë.

Motoja e zgjedhur nga Papa Françesku për udhëtimin e tij të 20-të ndërkombëtar është “Demos el primer passo” (Le të bëjmë hapin e parë). I referohet qartë procesit të pajtimit kombëtar, pas marrëveshjes historike nënshkruar në shtatorin e kaluar nga qeveria dhe Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë – FARC. Procesi vijon me përpjekjet për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje edhe nga forca tjetër opozitare, Ushtria e Çlirimit Kombëtar (ELN).

Pas Papës Pali VI (1968) e shën Gjon Palit II (1986), Françesku do të jetë Papa i tretë, që do të vizitojë Kolumbinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.