2017-08-12 15:47:00

Papa: të rinj, shpresa e Kishës, merrni pjesë në Sinod!


“Të dashur të rinj, ju jeni shpresa e Kishës. Si e ëndërroni ardhmërinë tuaj? Merrni pjesë në #sinodin18!”. Është ky, tweet i Papës Françesku, botuar në faqen e tij Twitter @Pontifex, në Ditën e sotme Ndërkombëtare OKB të Rinisë. Në tweet, Papa kujton me një link pyetësorin on line drejtuar të rinjve të Planetit me moshë ndërmjet 16 e 29 vjeç, që zëri i tyre të mund të dëgjohet lidhur me problemet e Sinodit, në tetor 2018, kur Etërit sinodalë të mbarë botës do të mblidhen për të diskutuar rreth temës: “Të rinjtë: feja dhe shqyrtimi i thirrjeve”.

Më 13 janarin e kaluar, me rastin e paraqitjes së dokumentit përgatitor të Sinodit të ardhshëm, Papa Françesku u pati shkruar një letër të rinjve të botës mbarë: “Një botë më e mirë - lexohet në mesazh - ndërtohet edhe falë jush, dëshirës suaj për ndryshime e bujarisë suaj. Ati i Shenjtë u kujton të rinjve se nuk duhet pasur frikë nga zëri i Shpirtit Shenjt, që këshillon rrugë të guximshme, as nuk duhet ngurruar, kur ndërgjegjja të kërkon të rrezikosh, për të ecur në gjurmët e Mësuesit. Më pas flet për një Kishë në dëgjim, që ua vë mirë veshin edhe dyshimeve e kritikave: “Bëjeni të dëgjohet britma juaj, lëreni të jehojë në bashkësitë, bëjeni të arrijë deri në veshët e barinjve - i fton Papa të rinjtë – për t’u kujtuar, më pas, Shën Benediktin, që i porosiste abatët ta dëgjonin zërin e të rinjve, para se të merrnin vendime të rëndësishme, sepse shpesh herë Zoti ia zbulon rrugëzgjidhjen më të mirë, pikërisht më të riut.

Kisha dëshiron t’i shoqërojë të rinjtë në rrugën e zbulimit dhe të realizimit të thirrjes së tyre. Këtë thekson Papa në letrën drejtuar të rinjve.  Po si duhet kuptuar termi “thirrje?”:

“Termi ‘thirrje’, duhet  kuptuar në gjithë gjerësinë e tij dhe se  ka të bëjë me gjithë gamën e mundësive të realizimit konkret të jetës në gëzimin e dashurisë e në përsosurinë, që arrihet, kur ia dhuron gjithë  vetveten Zotit e të tjerëve. Bëhet fjalë për të gjetur formën konkrete të këtij realizimi të plotë. Rrugët, që mund të zgjidhen në jetë janë të shumta. I  riu mund të martohet, mund të bëhet prift, rregulltar, mund të zgjedhë profesionin, angazhimin shoqëror e politik, stilin e jetës, shfrytëzimin e kohës e të parave e mënyra të tjera, nga më të ndryshmet".








All the contents on this site are copyrighted ©.