2017-08-12 16:52:00

Ipeshkvijtë e Koresë: vetëm të flasësh për luftë është akt i dhunshëm kundër njerëzimit


Kisha në Kore denoncon vendosmërisht provokimet e papeshuara të Koresë së Veriut dhe u kundërvihet të gjitha veprimeve, që krijojnë tension të lartë në gadishullin korean, duke i konsideruar si hapa mbrapa në rrugën e paqes, e cila nuk mund të realizohet me gara armatimesh bërthamore!  Në një thirrje, përhapur në prag të Festës së Zojës të Ngjitur në Qiell – ditë e pavarësisë së Koresë së Jugut - rimarrë nga agjencia AziaNews, ipeshkvijtë koreanë dënojnë shkallëzimin e kërcënimeve e të mobilizimeve ushtarake, që ndjehen fort në gadishullin korean, ku situata është e nderë, e ngarkuar me atmoferën e një rreziku të prekshëm, që u thellua më tej në fund të korrikut, pas provave të raketave të Pyongyang, pa marrë aspak parasysh rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Përballë liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, që kërcënon haptas se do t’i fshijë nga faqja e dheut SHBA-të dhe presidentit amerikan Donald Trump, që flet për aksione ushtarake tashmë të gatshme për t’i dhënë një mësim të mirë Pyongyang-ut, ipeshkvijtë koreanë ngrenë fuqimisht zërin, për të kërkuar maturi! Duke iu drejtuar liderëve politikë të vendeve fqinje, prelatët kujtojnë se “vetëm të flasësh për luftë, pa maturinë e duhur, është akt dhune kundër njerëzimit. E se veprimet e ngushtshme nuk lënë gjë tjetër pas, veçse të vdekur të panumërt e plagë të pashërueshme”. Konferenca ipeshkvnore koreane i nxit të gjitha vendet fqinje  të mos marrin vendime të papeshuara mirë, që do të cënonin dashurinë ndërmjet njerëzve e jo më pak, zhvillimin moral e shpirtëror të njerëzimit, duke uruar që të gjithë të angazhohen për paqen dhe bashkëjetesën, “qëllim kryesor i diplomacisë dhe i politikës”.

Nuk harrojnë të nënvizojnë, ipeshkvijtë, edhe se paqja në gadishullin korean ka të bëjë jo vetëm me Azinë veri-lindore, por me botën mbarë, sepse gadishulli korean është një pikë ekuilibri ndërmjet vendeve si Kina, Rusia, Japonia e SHBA-të, që po fuqizojnë, në këto orë, mekanizmat ushtarake e ato të sigurisë. Situata aktuale - lexohet në mesazhin e ipeshkvijve - kërkon një përpjekje bashkëpunimi, që lidhet ngushtë me ndërgjegjen, inteligjencën, solidaritetin, mëshirën e respektin reciprok.

Në këtë çast dramatik, u drejtohet një thirrje edhe bashkëkombasve koreanë, duke nisur nga liderët politikë të Koresë së Veriut dhe të Koresë së Jugut, për të bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të vendosur një sistem institucional, që të garantojë paqen në gadishull. “Pse nuk mendohet të kufizohet buxheti i shpenzimeve astronomike ushtarake të Koresë së Jugut e asaj të Veriut, me qëllim që të përdoret për zhvillimin njerëzor e kulturor?” - pyesin ipeshkvijtë, duke i ftuar qytetarët koreanë të nxisin nismat për paqen  e drejtësinë.

Së fundi, prelatët u drejtohen të krishterëve dhe popujve të botës, të thirrur për të bashkëpunuar në veprën “krijuese e shpërblyese të Zotit”. Realizimi i zhdukjes së armëve bërthamore dhe vendosja e paqes në gadishullin korean, do të kontribuonte për ardhmërinë e njerëzimit, duke propozuar një vizion të botës, në të cilin vlera e krijesave realizohet plotësisht me dashuri e drejtësi reale e konkrete”.








All the contents on this site are copyrighted ©.