2017-08-11 16:14:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…diplomacia e Klementit XI.


Në emisionin e kaluar të rubrikës “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”  folëm për një konflikt të rëndë krijuar ndërmjet Papës dhe shteteve evropiane, përfshirë edhe Perandorinë e Shenjtë Romake, plot etje për t’u shtrirë në gjithë Kontinentin, me a pa miratimin papnor, edhe duke e paguar shtrenjtë realizimin e kësaj dëshire, së cilës iu kundërvu diplomacia klementine…

Atëhere perandori nisi të ruhej nga thellimi i mëtejshëm i veprimtarisë diplomatike franceze e deshi të hapë një fazë bisedimesh në Romë, udhëhequr nga markezi di Prié. Më 15 janar 1709, pikërisht në prag të skadimit të ultimatumit, Papa Klementi XI e ngarkoi Paolucci-n të nënshkruante një marrëveshje, përmes së cilës zotohej të çarmatoste trupat, të njihte mbretin e Spanjës Karlin Habsburg, që kishte caktuar tashmë rezidencën në Barcelonë, të linte të lirë kalimin në Napoli, të formonte një komision për zgjidhjen miqësore të konfliktit për feudën e Comacchio-s, duke marrë, si shpërblim, premtimin e shfuqizimit të edikteve më të dëmshme për Selinë Apostolike, ndërmjet të cilëve, ai i bllokimit të eksportimit të valutës në Romë, dëmshpërblimin gradual për  shpenzimet e luftës dhe çmobilizimin progresiv të trupave perandorake nga trojet e shtetit të Kishës

Marrëveshja e nënshkruar shkaktoi kundërveprimin e menjëhershëm të Filipit V, i cili favorizonte prej kohe tendencat për krijimin e Kishës katolike të pavarur nga Papa në oborrin e tij e të modelonte  organizimin shtetëror sipas parimeve fuqimisht të centralizuara e absolutistike, duke i  kufizuar privilegjet kishtare, duke e detyruar klerin të paguante taksa e duke e shfuqizuar Gjykatën e inkuizicionit. Njohja zyrtare e Karlit d’Habsburg nga ana e Papës (14 tetor 1709), pasuar nga humbja franceze në Malplaquet (11 shtator) dhe  tërheqja e  forcave ushtarake kundër Romës, pati si pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve  diplomatike me Madridin; nunciatura e Madridit u mbyll, rentat kishtare u sekuestruan dhe marrëdhëniet e të gjitha natyrave me Romën, u ndaluan rreptësisht. Selia Apostolike u detyrua të themelonte një nunciaturë në Barcelonë, ku së pari u dërgua një prift i rëndomtë  e oportunist, Giuseppe Lucini, që e drejtoi nga korriku i vitit 1711, deri në majin e 1713-tës, kur vendin e tij e zuri, zyrtarisht, Giambattista Spinola.

Mund të themi se Klementi i bëri shumë lëshime Karlit d’Habsburg, të cilin çuditërisht vijonte ta shikonte si “avokat” të mundshëm të të drejtave papnore, ndërsa ai, në krye të një grupi tejet antikurialist, ishte i njohur nga të gjithë për mbrojtjen e Napolit. Në të vërtetë, ky qëndrim, pa përftime të ndjeshme, e acaroi më tej atmosferën e luftës politike e ideologjike ndërmjet Romës e Spanjës monarkiste të Filipit. Përsa i përket emërimit të ipeshkvijve, Papa i refuzoi gjithnjë emrat e propozuar nga Filipi, si ato që duheshin zgjedhur, ashtu edhe ato që duheshin shkarkuar. Madje më 27 tetor 1711 anuloi, me një brevë, të gjitha dekretet e Filipit V, që konsideroheshin të dëmshme për Selinë e Shenjtë.

Ndërkaq nuk reshtën as marrëdhëniet me perandorin: në vitin 1709 Papa Klementi XI dërgoi në Vjenë të nipin, Anibale Albani, duke e ngarkuar të mbronte të drejtat e Papës mbi Dukatin e Parmës e të Piaçencës si dhe mbi Mbretërinë e Napolit. Rezultati qe vetëm njohja formale mbi pronën papnore të Comacchios, por pa ia kthyer. Pas këtij përfundimi të pakëndshëm, Anibale shkoi në Dresden me synim që ta bindte princin trashëgimtar Federikun August të Saksonisë, të hiqte dorë nga luteranizmi. Por nuk pati  sukses, gjë që vuri edhe një herë në dukje dobësinë e Selisë së Shenjtë. Nipi i Papës nuk mundi të merrte pjesë në asnjë takim e misioni i tij pati fund të pafrytshëm, madje edhe fyes. Kur u hap stina e bisedimeve  të mëdha për paqen, shenjat e ligështisë u bënë edhe më të dukshme, sidomos lidhur me përpjekjen e Papës për të bashkuar në mbrojtje të kërkesave të tij, dy fuqi katolike si Franca e Spanja. Të drejtat e katolikëve u kushtëzuan nga arsyet e shtetit, protestantët anglezë e prusianë dolën të fuqizuar, Sicilia i kaloi dukës së Savojës, pa e pyetur fare Papën e, së fundi, klauzola e famshme e Rijswijk, pavarësisht nga nxitjet e përsëritura papnore, drejtuar Luigjit XIV, e humbi fare vlerën.

Pas paqes së Raastadt (6 mars 1714), në të cilën Papa nuk përfaqësohej, u morën, mrekullisht parasysh, disa nga kërkesat më të praktikueshme të Papës.

Atëhere Klementi XI, i lidhur me vizionin universal të papatit, pasojë e formimit të tij kurial, u përpoq ta vinte në vend prestigjin e vet ndërkombëtar, duke synuar të kryesonte një lidhje të krishterë kundër turqve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.